Në pamje të parë duket jo e vogël si shkollë, por klasat zor se po kanë vend për numrin e nxënësve.
Paralelet e shkollës “Daut Bugujevci” në Fushë Kosovë arrijnë deri në 45 nxënës.
Ndonëse disa prej tyre mund të kenë më pak se të tjerat, se procesi do ishte më i lehtë për fëmijët në numër më të vogël të nxënësve, pajtohen edhe prindërit.
”Nuk i ka shumë të ngarkune p.sh sa ‘Mihal Grameno’ por po të ishin më pak se sa janë aktualisht, do ishte më lehtë për mësuesen, më lehtë edhe për fëmijët për të kuptuar”, ka thënë Shkendije Gashi, nënë e një nxënësi.
E nga shkolla, thonë se numri kalon kapacitetet e tyre e njëheri, po ndikon edhe në punën e mësimdhënësve.
”Kemi 38 paralele, shkolla ka numër të lartë të nxënësve, mbi 1200 nxënës, është bukur numër i madh, ka klasë me 39 deri në 41 nxënës që nënkupton se për 45 nxënës, për 1 minutë e gjysëm kohë për secilin nxënës. Vështirësitë vijnë nga numri i madh, mësimdhënësit e kanë problemin tek menaxhimi i klasës. Klasët kanë edhe fëmijë me nevoja të veçanta, ata kërkojnë përkushtim më të madh ndaj tyre” ka thënë Betim Ahmeti, sekretar i shkollës “Daut Bugujevci”.
Megjithatë, e shqetësuar nuk u shpreh komuna e cila konsideron se zgjidhjen e ka gjetur.
”Faza e fundit në prokurorim është ndërtimi i një shkolle të re. Në këtë fundvit, ne do ta nisim edhe ndërtimin e një shkolle për 1200 nxënës. Për vitin e ardhshëm, në planifikimin buxhetor e kemi edhe një shkollë tjetër që do ta bëjmë me të hyra të komunës së Fushë Kosovës ndërsa në bashkëpunim me MASHT, tentojmë ta nisim edhe një shkollë fillore. Do jetë një lehtësim, klasat do t’i kthehen normalitetit dhe po shpresoj se granti qeveritar, do të jetë në proporcion me numrin e banorëve”, ka thënë Fatlum Berisha, Drejtor i Arsimit në Fushë Kosovë.
Komuna e Fushë Kosovës numëron mbi 11 mijë nxënës ndërsa shkolla më e ngarkuar mbetet “Mihal Grameno”, me dy anekse shtesë.