Rreth 150 autobusë të cilët menaxhohen nga transportuesit privatë nesër do ndalojnë së lëvizuri në rrugët e Shkupit, ata do të lëvizin vetëm në një linjë të mëngjesit, ndërsa më pas do parkohen. Kaosi në Shkup nesër pritet të jetë i madh pasi fillon edhe viti i ri shkollor, raporton Portalb.mk.
Përmes kësaj ata do të shprehin revoltën e tyre pasi Ndërmarrja e Transportit Publik nuk e ka shlyer borxhin që ka ndaj tyre.
Megjithatë, ata janë të revoltuar gjithashtu edhe për shumën që marrin për kilometër e cila nuk ka ndryshuar që nga viti 20217.
Problem tjetër mbetet se Ndërmarrja e Transportit nuk ka autobusë të mjaftueshëm për të mbuluar orarin dimëror i cili fillon pikërisht nesër.
NTP-ja ka thënë se nuk kanë autobusë të mjaftueshëm për orarin veror e jo më atë dimëror.
Më 29 gusht në Seancën e Qytetit të Shkupit, këshilltarët e VMRO-DPMNE-së sërish nuk lejuan blerjen e autobusëve të rinj për NTP “Shkup”. Në seancën e sotme të Këshillit të qytetit, të gjitha grupet e tjera këshilltare votuan “për”, vetëm këshilltarët nga VMRO-DPMNE nuk votuan pro vendimit dhe kështu nuk pati shumicë për të filluar procedurën për prokurimin e autobusëve ekologjik.
Pas kësaj, kryetarja e Shkupit Danella Arsovksa i dërgoi letër të hapur Qeverisë ku kërkoi që të bëjë prokurimin e autobusëve të rinj, dhe nëse nuk kanë mjete për këtë qëllim, me vendim të Këshillit të Qytetit të Shkupit do tu transferohen mjetet e nevojshme.
Por nga Qeveria reaguan duke thënë se shkupjanët kanë nevojë për një zgjidhje të shpejtë për të dalë nga situata, dhe ajo që kërkon Arsovska është një proces i blerjes së autobusëve që zgjat një vit deri në një vit e gjysmë.
Kjo nuk është hera e parë që në rrugët e Shkupit nuk funksionojnë transportuesit privatë. Transportuesit privatë pushuan së qeni pjesë e transportit publik të qytetit në nëntor të vitit 2022 për shkak të borxheve që kërkuan t’i paguante Qyteti i Shkupit. Në fund të nëntorit dhe në fillim të dhjetorit, më shumë se 300 autobusë të parkuar në kryqëzimet kryesore bllokuan kryeqytetin.