Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në shënimin e 23 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit tha se maqedonasit mund të përparojnë vetëm nëse janë në komunikim dhe harmoni me shqiptarët, ose siç tha ai, përndryshe do t’i gëlltisin serbët, bullgarët dhe grekët, transmeton Portalb.mk.
Kreu i BDI-së shtoi se maqedonasit duke bashkëpunuar dhe bashkëjetuar me shqiptarët, mund ta ruajnë identitetin dhe historinë e tyre, në të kundërtën, janë të destinuar të mos ekzistojnë fare.
“Maqedonasit si komb mund të përparojnë vetëm duke qenë në komunikim e harmoni të mirë e marrëdhënie me shqiptarët, përndryshe i gëlltisin serbët, bullgarët dhe grekët dhe këtë që ua them unë këtu, ua kam thënë të gjithë përfaqësuesve të politik të komunitetit maqedonas. Vetëm me ne duke bashkëpunuar, duke bashkëjetuar, mund ta ruajnë historinë, identitetin e tyre kombëtarë përndryshe janë të destinuar që mos të ekzistojnë fare”, tha Ali Ahmeti.
Ai deklaroi për pushtetasit aktualë që lexojnë deklarata dhe prononcime për Marrëveshjen e Ohrit, as vrima e kavallit të fundit nuk kanë qenë në ndërtimin e politikave çlirimtare të shqiptarëve të Jugosllavisë.
Ahmeti tha se të gjithë duhet që të reflektojnë, ku cenohet legjitimitetit, ku bëhet angazhim për të majorizu dhe për të poshtëruar shqiptarët dhe komunitetet tjera në këtë vend, duhet të mendojnë mirë sepse nuk kem i nevojë të na përsëritet e kaluara.
“Se ne të Frontit jemi shqiptarët e këqij që kërkojmë drejtësi. Ne puthadorë e argat të kërkujt nuk bëhemi, pavarësisht se dikush mendon që është aga në këtë vend dhe se i ka hyzmeqarët. Ky vend do ecën përpara në marrëdhënie të mira ndëretnike në radhë të parë në mes komuniteteve më të mëdha shqiptarëve dhe maqedonasve. Maqedonasit si komb mund të përparojnë vetëm duke qenë në komunikim dhe harmoni të mirë e në marrëdhënie me shqiptarët, përndryshe i gëlltitin serb, bullgarët dhe grekët”, deklaroi Ali Ahmeti.
Përndryshe, sot është 23 vjetori i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur disamujor në vend në vitin 2001. Këtë përvjetor, pushteti dhe opozita shqiptare, e shënuan me manifestime të ndara.