Përmes një mase për uljen e tatimit mbi fitimim për kompanitë më të pasura Qeveria dëshiron të tërheqë kompani multinacionale që do të investojnë në RMV dhe me këtë ta mbushin më shumë buxhetin e shtetit, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.
Njoftimin këto ditë e bëri kryeministri Hristijan Mickoski pas një takimi me komunitetin e biznesit, sipas programit zgjedhor të VMRO – DPMNE-së. Plani është që Qeveria ta ulë tatimin mbi fitimin nga 10 në 5 përqind për kompanitë që fitojnë mbi 50 milionë euro, me qëllim që në vendin tonë të vijnë kompani të reja multinacionale.
“Kjo do të thotë më shumë likuiditet për ekonominë në Maqedoni dhe më shumë para mbi bazë të tatimit mbi fitimin në buxhet”, tha Mickoski.
Disa ekspertë me të cilët biseduam besojnë se kjo masë mund të ketë një efekt pozitiv. Por të tjerët janë skeptikë dhe janë të mendimit se kompanitë e suksesshme nuk tërhiqen me tatime të ulëta.
Edhe tatimet aktuale janë të ulëta
Nga Instituti për hulumtime dhe politika ekonomike “Finance Think“ thonë se për momentin hapësira për uljen e tatimeve direkte për kompanitë e mëdha është e kufizuar, kryesisht për shkak se edhe niveli aktual i tatimeve në vend është i ulët, ndërsa efektet e tatimeve të ulëta kryesisht janë shterur.
“Veçanërisht nuk ka vend për të shkuar në drejtim të regresivitetit, por përkundrazi regresiviteti që është i pranishëm në sistem duhet eliminuar. Pastaj, në procesin e tërheqjes së investimeve të huaja, tatimi mbi fitimin nuk luan një rol kyç, ndërsa fitimi i riinvestuar edhe për momentin nuk tatohet. Edhe më parë ka pasur ide se Google dhe Microsoft do të vinin në vendin tonë nëse do t’u ofrohej një tatim prej 3 përqind, por kjo gjë nuk ndodhi”, thonë nga Finance Think.
Sipas të dhënave në dispozicion, vitin e kaluar vetëm pesë kompani kanë pasur fitim mbi 50 milionë euro. Bëhet fjalë për “Johnson Targets”, bankat – Komercijalna, Stopanska dhe NLB Tutunska dhe Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore.
Edhe pse nga Qeveria thonë se ndryshimet ende nuk janë precizuar, ministrja e financave Gordana Dimitrieska-Koçoska në një konferencë për media sqaroi se ndryshimet nuk planifikohen për uljen e tatimeve të kompanive që tashmë veprojnë në Maqedoni, por për të tërhequr kompani të reja, të pasura.
“Për dallim nga investimet e huaja në zonat e zhvillimit teknologjik-industrial, të cilat janë të liruara plotësisht nga tatimi mbi fitimin për 10 vjet, këto kompani për të cilat është planifikuar ulja, nuk është e thënë të kenë prodhimtari në vendin tonë, por vetëm të regjistrohen këtu, të tërhequr nga tatimet e ulëta”, tha Dimitrieska–Koçoska.
Baush: Investimi duhet mbështetur
Sipas analistit ekonomik Abil Baush kjo ide mund të jetë e mirë sepse i motivon kompanitë që të investojnë dhe riinvestojnë në vend dhe në këtë mënyrë të qarkullojnë më shumë para në ekonominë vendase.
“Është mirë që të mbështeten investimet në vend. Kjo nënkupton më shumë para të gjeneruara brenda ekonomisë, qarkullim më i madh dhe rrjedhimisht më shumë para në buxhet. Sepse të gjithë sektorët e tjerë në shtet do të kenë më shumë para në atë zinxhir operimi dhe të gjithë do të paguajnë më shumë tatime. Për shembull, bankat do të japin më shumë kredi dhe më të favorshme për kompanitë që do të investojnë në sektorë si energjia e gjelbër dhe të ngjashme (ekonomia qarkulluese)”, thotë Baush.
Megjithatë, Baush thotë se Qeveria duhet ta përmirësojë sistemin tatimor, ta përforcojë kulturën e tatimit dhe ta reduktojë ekonominë gri, e cila ka arrirë deri në 38 përqind.
VMRO-DPMNE-ja në programin e saj zgjedhor theksoi se do të sigurojë që Maqedonia të jetë ndër vendet me tatime më të ulëta për kompanitë dhe qytetarët dhe se për t’i tërhequr kompanitë multinacionale me fitim neto prej mbi 50 milionë euro, shkalla efektive e tatimit mbi fitimin do të të jetë 5 përqind.
Por, nga partia theksojnë se nuk do të marrin vendime ad-hoc dhe se ndryshimet e ligjeve do të jenë objekt i një debati të gjerë publik.
Llazovski: Buxheti nuk do të mbushet
Analisti ekonomik Sllavko Llazovski nga Qendra për Politika Tatimore është skeptik në lidhje me këtë masë, duke thënë se nga njëra anë tatimet e ulëta nuk janë tërheqëse për kompanitë e suksesshme globale, ndërsa nga ana tjetër se vendet e Bashkimit Evropian dhe Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim -OECD fokusin e vënë tek tatimet më të larta të tatimit mbi fitimin.
“Jam i mendimit se buxheti nuk do të mbushet më shumë nëse ulen tatimet për kompanitë e mëdha. Ato do të jenë të ardhura të humbura, ndërsa zjidhjet e tilla janë të dëmshme për vetë kompanitë. Vetëm me rritjen e tatimeve krijohen mundësi për realizimin e të ardhurave më të larta, ndërsa kompanitë janë ato që janë më të afta të realizojnë të ardhura më të larta”, thotë Llazovski.
ОECD parasheh tatim prej të paktën 15 përqind
Maqedonia ka miratuar legjislacion që parasheh që tatimi për kompanitë të jetë të paktën 15 përqind sipas rregullave të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), thekson Llazovski.
Sipas tij, në vende si Gjermania ka sepse e kanë sistemin më të mirë tatimor, të ngjashëm me Italinë dhe SHBA-në.
“Tatimi mbi fitimin është kyç dhe njihet edhe si “mbretëresha e tatimeve” sepse bën pjesë në të ashtuquajturat tatime të mëdha. Ata janë pjesa më e madhe e sistemit tatimor, kështu është në ekonomitë e pasura të vendeve të zhvilluara. Ne filluam t’i ulim tatimet që të tërheqim kompani të huaja, gjë që nuk është aspak ashtu. Një kompani serioze nuk motivohet nga ulja e tatimit. Kompanitë serioze duan kushte të tjera për funksionimin e tyre të suksesshëm në cilin do vend”, thotë Llazovski.
Sipas programit të VMRO-DPMNE-së Qeveria duhet të krijojë tatim të parashikueshëm dhe rregullator si një nga parakushtet më të rëndësishme për të bërë biznes.
Qeveria e mëparshme e udhëhequr nga LSDM-ja angazhohej për tatim progresiv të të ardhurave, që do të thoshte se ata me fitime më të larta do të paguanin më shumë. Ai u prezantua në vitin 2019, por i njëjti u anulua brenda një viti.