A E SHTOI BIDEN BESUESHMËRINË NË SAMITIN E NATOS?!
Me ardhjen e Bidenit në krye të SHBA-së, i cili argumenton se fuqia dhe lidershipi amerikan mund të rritet efektivisht vetëm përmes aleancave ndërkombëtare, shumë vende anëtare të NATO-s morën frymë thellë. Ata që thanë se Evropa duhet të hartojë një udhërrëfyes të ri për të garantuar sigurinë e saj gjatë epokës së Trumpit, kryesisht e lanë këtë diskurs mënjanë me ardhjen e Biden. Me luftën në Ukrainë, ‘kërcënimi rus’ i përbashkët mundësoi që uniteti dhe koordinimi brenda NATO-s të rritet edhe më shumë.
Megjithëse nuk ishte e lehtë të bindeshin liderët e NATO-s që të mbanin një qëndrim të ashpër kundër Rusisë, Uashingtoni ishte në gjendje t’i bindte ata se garantimi i sigurisë së Evropës ishte i mundur përmes mbrojtjes së Ukrainës. Nga ana tjetër, administrata Biden, e cila u kthye në një strategji të bashkimit të aleancës perëndimore në frontin anti-rus, në vend që të gjente një zgjidhje të shpejtë duke mbështetur armëpushimin dhe iniciativat e paqes të Turqisë, siguroi që NATO të mbështeste Ukrainën. Megjithatë, mbetet pikëpyetje nëse kjo mbështetje do të jetë e përhershme dhe në çfarë kushtesh do të vazhdojë.
Në samitin e kësaj jave të NATO-s, Uashingtoni tentoi të jep garanci në lidhje me mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit në aleancë, si dhe të ardhmen e udhëheqjes amerikane. Duke marrë parasysh se sa të vështirë e kishte Biden për të kaluar paketën e fundit të ndihmës për Ukrainën, nuk do të jetë e lehtë të bindësh aleatët që të institucionalizojnë mbështetjen për Ukrainën. Pritet që në një administratë të mundshme Trump, mbështetja amerikane për Ukrainën të marrë fund dhe ata të detyrohen të ulen në tryezë me Rusinë. Në këtë skenar, nuk duket e mundur që Evropa të ofrojë mbështetje që do t’i mundësojë Ukrainës të vazhdojë luftën pavarësisht Amerikës. Për më tepër, shumë liderë evropianë që janë dobësuar brenda vendit do të fillojnë të mbrojnë tezat se çështja e Ukrainës duhet të zgjidhet tani. Biden tentoi të jep besim në samitin e NATO-s se një skenar i tillë nuk do të ndodhë, por kriza politike që ai ka përjetuar në javët e fundit do ta dobësojë shumë aftësinë e tij për të bindur për këtë çështje.
Edhe nëse anëtarët e NATO-s vazhdojnë të mbështesin Ukrainën dhe të shpallin një marrëveshje në parim për qëllimin e anëtarësimit të pasluftës, ata do të jenë të vetëdijshëm për cenueshmërinë e saj për shkak të rezultateve të zgjedhjeve presidenciale amerikane. Dihet se edhe Rusia është e vetëdijshme për këtë dhe po përgatitet për negociatat e mundshme të ‘tavolinës së paqes’ pas nëntorit. Biden deri më tani ka zhvilluar një politikë uniteti dhe solidariteti të NATO-s duke u fokusuar në mbështetjen për Ukrainën, por nuk ka paraqitur një formulë konkrete paqeje.
Argumentohet se NATO do të kërkojë të institucionalizojë mbështetjen për Ukrainën në samit në një mënyrë që nuk do të ndryshojë edhe nëse vjen Trump, por nuk është realiste që kjo të ndodhë. Është e qartë se Evropa nuk ka kapacitet për të zhvilluar një politikë të përhershme sigurie ndaj Ukrainës pa mençurinë strategjike të Amerikës. Prandaj, ndryshimet në politikën e Uashingtonit për Ukrainën pas nëntorit do të jenë në mënyrë të pashmangshme vendimtare për mbështetjen e NATO-s.
Të vetëdijshëm se data e skadimit të garancive të Bidenit është nëntori, anëtarët e NATO-s do të preferojnë të presin që rezultatet e zgjedhjeve amerikane të shkojnë përtej udhërrëfyesit të anëtarësimit dhe të bëjnë një ftesë zyrtare në Ukrainë.