Pesë të vdekur pas stuhive që goditën Francën, Zvicrën dhe Italinë
Stuhitë e fuqishme dhe shirat e rrëmbyeshëm që goditën Francën, Zvicrën dhe Italinë këtë fundjavë kanë lënë pesë persona të vdekur, kanë njoftuar autoritetet lokale.
Bëhet e ditur se tre persona në të 70-at dhe 80-at vdiqën në rajonin verilindor të Francës, Aube, kur një pemë shtypi veturën në të cilën ata po udhëtonin gjatë erërave të forta.
Ndërkohë, një pasagjer i katërt është në kujdes kritik.
Në Zvicrën fqinje, dy persona vdiqën dhe një i tretë u zhduk pasi shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan një rrëshqitje dheu në juglindje, ka njoftuar policia në kantonin Ticino, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.
Shërbimet e urgjencës po vlerësonin mënyrën më të mirë për të evakuuar 300 njerëz që kishin mbërritur për një turne futbolli në Peccia, ndërsa pothuajse 70 të tjerë po evakuoheshin nga një kamp pushimi në fshatin Mogno.
Shkencëtarët thonë se ndryshimi i klimës po rrit ashpërsinë, frekuencën dhe kohëzgjatjen e ngjarjeve ekstreme të motit si përmbytjet dhe stuhitë.
Moti i keq po e bën veçanërisht të vështirë punën e shpëtimit, me disa lugina të paarritshme dhe të shkëputura nga rrjeti elektrik.
Në kantonin perëndimor të Valais, shërbimet e sigurisë civile thanë se qindra njerëz u evakuuan dhe rrugët u mbyllën pasi Rhone dhe degët e tij u vërshuan në vende të ndryshme.
Ndryshe, në luginën Aosta të Italisë veriore, përdoruesit e internetit shpërndanë imazhe të përmbytjeve dhe lumenjve që vërshojnë nga shpatet malore.