Ministri i Zhvillimit Rajonal i Kosovës njëherësh kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) Fikrim Damka vizitoi Kryesinë e Delegacionit Përfaqësues të Türkiyes që shërben në kuadër të Forcës Paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), raporton Anadolu.
Ministri Damka, i cili u prit nga kryetari i delegacionit të përfaqësuesit turk, kolonel Sabri Gökhan Karamürsel, me të mbërritur në kazermën “Sulltan Murat” në qytetin e Prizrenit, përshëndeti skuadrën ceremoniale atje.
Më pas, Damka u takua me pjesëtarë të KFOR-it në kazermë dhe mori informacione për punën e komandove turq që erdhën në Kosovë si njësi rezervë, ndërsa po ashtu ekzaminoi nga afër pajisjet e tyre.
Në deklaratën e tij për media, Damka tha se ushtarët turq që shërbejnë në kuadër të KFOR-it luajnë një rol të rëndësishëm në sigurinë e Kosovës.
Damka tha se gjatë vizitës pati rastin të vërtetojë se KFOR-i është i gatshëm për të gjithë skenarët.
“Ushtarëve turq edhe një herë ua shpreha mirënjohjen time. Pata rastin t’i falënderoj edhe një herë për mbështetjen dhe kontributin e tyre për sigurinë e Kosovës dhe procesin e shtetësisë së Kosovës për 25 vjet”, tha ministri.
Misioni i NATO-s në Kosovë – KFOR, i cili filloi detyrën e tij në më 12 qershor 1999, ka aktualisht më shumë se 4.500 personel ushtarak ndërkombëtar nga 27 vende, duke përfshirë 21 anëtarë të NATO-s dhe pjesëtarë nga gjashtë vende partnere me NATO-n.
Komandot turq, të cilët u caktuan me kërkesë të NATO-s pas tensioneve në veri të Kosovës vitin e kaluar, arritën në Kosovë si njësi rezervë në fund të muajit shkurt.
Ushtarët turq kanë shërbyer në kuadër të KFOR-it në Kosovë që nga viti 1999. Türkiye mori komandën e KFOR-it për herë të parë më 10 tetor 2023 për 1 vit.