Presidentja bullgare Ilijana Jotova deklaroi se Bullgaria nuk do të heqë dorë nga bullgarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe do të vazhdojë t’i mbrojë të drejtat e tyre, transmeton Portalb.mk nga BTV.
“Nuk mund të mos vërejmë edhe diçka tjetër sot, sa plagë, sa ndarje. Sot në Republikën e Maqedonisë së Veriut njerëzit flasin për bullgarët, ndërsa historia jonë është e përbashkët. Çfarë kemi për të ndarë?“, tha Jotova.
Ajo shtoi se si politikanët, ashtu edhe shoqëria, duhet t’i kundërvihen gjuhës së urrejtjes dhe ndarjeve.
“Ne nuk do të heqim dorë nga ju dhe do t’i mbrojmë të drejtat tuaja, të drejtat e çdo njeriu. Dhe kjo nuk është deklaratë politike. Për mua, ky është interpretimi i vërtetë i testamentit të popullit të Ilindenit, i cili e dinte se vetëm në unitet dhe bashkim mund të kemi liri, shtetësi dhe liri për çdo njeri“, tha presidentja e Bullgarisë.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Qeveria aktuale në Shkup ka deklaruar se nuk do t’i bëjë këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

