53 me 47

3 Min. Leximi

Të mërkurën pasdite ka përfunduar numërimi i votave me kusht dhe i atyre nga programi i votimit për persona me nevoja të veçanta. Me to është përmbyllur i gjithë procesi i numërimit. LVV-ja, si subjekti i parë, ka marrë 382 mijë e 865 vota ose 47.13 për qind të totalit, rezultat që ia ka siguruar asaj 53 ulëse në Kuvend, ndërsa bashkërisht PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja 47. E, te partitë opozitare është paralajmëruar reflektim. PDK-ja do t’i nisë zgjedhjet në shtator, e zgjedhje janë kërkuar edhe në LDK

Brenda dhjetë ditësh është përmbyllur numërimi i të gjitha votave të zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit. Rezultati final është mësuar, pas numërimit edhe të votave me kusht dhe të atyre nga programi i votimit për persona me nevoja të veçanta.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), si subjekti i parë, ka marrë 382 mijë e 865 vota ose 47.13 për qind të totalit, rezultat që ia ka siguruar asaj 53 ulëse në Kuvend.

Partia Demokratike (PDK) ka fituar 157 mijë e 893 vota ose 19.44 për qind dhe siguroi 22 mandate.
Lidhja Demokratike (LDK) ka marrë 135 mijë e 559 vota apo 16.69 për qind, që përkthehen në 18 ulëse.

E, forcë e katërt ka dalë Aleanca, duke fituar 54 mijë e 731 ose 6.74 për qind që ia sigurojnë 7 ulëse në Kuvend.

Hapi i radhës në proces është auditimi, që nënkupton rinumërimin e 8 për qind të votave.

Me këtë shpërndarje të mandateve, Lëvizja Vetëvendosje ka mundësinë ta formojë qeverinë pa pasur nevojë për koalicion me partitë e tjera shqiptare.

Por, për zgjedhjen e presidentit, çështje për të cilën vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme, nevojitet marrëveshje ndërmjet partive politike, në dy raundet e para të votimit kërkohet pjesëmarrja në sallë e së paku 80 deputetëve.

Me 53 deputetët e Vetëvendosjes dhe me 10 deputetët e komuniteteve, duke përjashtuar ata të Listës Serbe, një marrëveshje me PDK-në do të siguronte 86 vota në Kuvend.

Ky numër përputhet me qëndrimin e kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, i cili gjatë përpjekjeve për zgjedhjen e presidentit në prill kishte deklaruar se një kuorum prej 85 ose 86 deputetësh ofron siguri për një proces të suksesshëm.

Një marrëveshje me LDK-në do të siguronte 82 vota, vetëm dy më shumë se minimumi kushtetues prej 80 deputetësh që nevojitet për të konsumuar raundin e parë dhe të dytë të votimit për president.

Më e vështirë është mundësia e formimit të qeverisë pa Vetëvendosjen.

PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja së bashku kanë 47 deputetë.

Për të siguruar shumicën prej 61 votash, atyre do t’u duheshin edhe 14 deputetë të tjerë, çka nënkupton se, përveç komuniteteve, do të nevojiteshin edhe votat e Listës Serbe.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull