Si sot dhjetë vite më parë, në lagjen e Trimave në Kumanovë shpërtheu përplasja e përgjakshme mes një grupi të armatosur prej rreth 40 personave dhe forcave policore të shtetit. Nga dy luftimet, gjithsej humbën jetën tetë pjesëtarë të policisë dhe dhjetë pjesëtarë të grupit të armatosur. U shkatërruan shtëpi dhe prona private ndërsa policia gjatë ndërhyrjes përdori artilerinë më të rëndë të mundshme. Prokuroria pati ngritur akuzë për cenim terrorist të rendit kushtetues dhe organizatë terroriste. Në akuzë u përfshirnë 33 të akuzuar, ndërsa më pas katër prej tyre u liruan. Nga 29 të akuzuarit, shtatë u dënuan me burg të përjetshëm ndërsa të tjerë gjithsej me 746 vite burg. Grupi i thirrur në emër të UÇK-së, pretendonte se motivi për kryengritjen e tyre kishte të bënte me tërheqjen e vëmendjes për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve, konkretisht mos respektimin e Marrëveshjes së Ohrit. Që atëherë, ende nuk dihet se kush ishte organizatori i vërtetë i këtij rasti. Për rastin kishte zëra se është inskenuar nga shërbimi sekret i shtetit, në bashkëpunim me disa pjesëtarë të grupit, por kjo asnjëherë nuk u vërtetua.
Por duke pasur mungesë të besimit në sistemin gjyqësor, veçanërisht kur në bombat e Zaevit u dëgjua se gjykatësit ishin zgjedhur nga shefi i atëhershëm i shërbimit sekret, Sasho Mijallkov në bashkëpunim me ministren e atëhershme për punë të brendshme Gordana Jankulloska, hetimi kërkohej që të bëhet nga një organ i pavarur ndërkombëtar. Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, vazhdimisht kërkonte hetim ndërkombëtar që të sqarohet tërë rasti por kjo asnjëherë nuk ndodhi.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut në nëntor 2017 pranoi të hapet hetimi ndërkombëtar për rastin “Lagjja e Trimave. Kryeministri i atëhershëm, Zoran Zaev pati deklaruar se është informuar bashkësia ndërkombëtare dhe se kërkohen mënyrat për zbatimin e hetimit ndërkombëtar për rrethanat e paqarta lidhur me ngjarjet në Kumanovë. Për pastrimin e rastit, BDI pati kërkuar dhe më pas pati formuar edhe komision anketues në Kuvend, por përveç seancës konstituive, komisioni nuk ka bërë asgjë, ndërkaq avokatët e të akuzuarve nuk janë kërkuar që eventualisht të japin dëshmi apo materiale.
Hetimin ndërkombëtar e patën kërkuar edhe familjarët e të dënuarve për këtë rast, ndërsa për këtë, patën protestuar disa herë nëpër qytete të ndryshme. Hetimi kërkohej edhe nga përfaqësues politik të Kosovës dhe Shqipërisë. /Alsat.mk