Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali bojkoton takimin bilateral në New York me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq

3 Min. Leximi

Zëvendëskryeministri i Parë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka bojkotuar takimin bilateral me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë javës së nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.

Takimi Mickoski–Vuçiq është publikuar edhe në rrjetet sociale nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski. Në fotografitë e publikuara nga vetë kryeministri, vërehet mungesa e Zëvendëskryeministrit të Parë, Bekim Sali, i cili ndodhet në New York si pjesë e delegacionit qeveritar.

Mungesa e Saliut vjen në një moment të ndjeshëm politik, gjatë një jave ku në qendër të vëmendjes ndërkombëtare janë edhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, Kosova dhe raportet e Serbisë me rajonin.

Gjatë adresimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Vuçiq ka përsëritur qëndrimet e Serbisë për Kosovën, duke folur për integritetin territorial të Serbisë dhe duke iu referuar Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në ditët e kësaj jave, presidenti serb ka bërë gjithashtu deklarata të shumta lidhur me Kosovën dhe zhvillimet politike në rajon.

Qëndrimi i Saliut vjen edhe në kontekstin e deklaratave të tij të fundit lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë për ish-krerët e UÇK-së.

Pas aktgjykimit të 16 shtatorit, Sali doli publikisht në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar vendimin si të padrejtë dhe duke shprehur pritjen që procesi i apelit të sjellë një rishqyrtim të plotë të vendimit.

Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën fajtorë për disa akuza për krime lufte Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Vendimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.

Në këtë sfond, mungesa e Zëvendëskryeministrit të Parë Bekim Sali në takimin Mickoski–Vuçiq në New York shihet si një qëndrim i dallueshëm politik, veçanërisht duke pasur parasysh deklaratat e tij publike për Kosovën dhe ish-krerët e UÇK-së.

Gjatë qëndrimit në New York, Sali ka zhvilluar një agjendë të ngjeshur ndërkombëtare, me pjesëmarrje në takime dhe aktivitete në kuadër të javës së nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull