Këshilltari i Qytetit të Shkupit nga radhët e VLEN-it, Zekirija Berisha, ka njoftuar se, në bashkëpunim me grupin e këshilltarëve të VLEN-it, Kryetarin e Qytetit të Shkupit dhe NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi – Shkup”, është dërguar një cisternë me ujë të pijshëm në Gostivar për të ndihmuar qytetarët që po përballen me mungesën e ujit.
Berisha theksoi se në situata të tilla nuk ka vend për indiferencë, por për solidaritet dhe mbështetje të ndërsjellë. Sipas tij, përgjegjësia ndaj qytetarëve nuk përfundon në kufijtë administrativë të një komune, por shtrihet kudo ku ka nevojë për ndihmë.
Ai shprehu shpresën që problemi me furnizimin me ujë në Gostivar të zgjidhet sa më shpejt, ndërsa theksoi se VLEN do të vazhdojë të kontribuojë në çdo rast kur qytetarët kanë nevojë për mbështetje.
“Sot pranë Gostivarit. Nesër pranë kujtdo që ka nevojë”, përfundoi Berisha.

