Këshilltari i VLEN-it në Qytetin e Shkupit, Zekirija Berisha, ka njoftuar se miratimi i rebalansit të buxhetit për vitin 2025 përbën një hap të rëndësishëm drejt një qyteti më funksional dhe me menaxhim më të mirë financiar.
Ai tha se në seancën e djeshme të Këshillit të Qytetit u votua rendi i ditës me disa pika kyçe për funksionimin e Shkupit, ndërsa theksi kryesor ishte pikërisht rebalansi i buxhetit. Sipas Berishës, ky hap krijon bazën për përdorim më efikas të mjeteve publike dhe për investime që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve.
VLEN-i votoi në mbështetje të plotë të rebalansit, duke konfirmuar angazhimin e këtij grupi për stabilitet financiar dhe zhvillim të projekteve të nevojshme për qytetin.
Berisha thekson se rebalansi hap rrugë për zhvillimin e programeve të reja për periudhën 2025–2027, modernizim teknologjik dhe shërbime digjitale, mirëmbajtje të infrastrukturës gjatë dimrit, rritje të pastërtisë publike dhe gjelbërimit, si dhe mbështetje të ndërmarrjeve publike dhe politikave sociale, mjedisore, kulturore e arsimore.
Ai falënderoi këshilltarët që mbështetën këtë proces, me theks të veçantë ekipin e VLEN-it, duke theksuar se kjo qasje siguron stabilitet financiar dhe mundëson realizimin e projekteve të rëndësishme pa vonesa.
Berisha përfundoi se puna do të vazhdojë me përgjegjësi, transparencë dhe me fokus te nevojat e qytetarëve të Shkupit.

