Zëdhënësja e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Venera Azizi, ka reaguar ashpër ndaj trashëgimisë politike të BDI-së, duke e cilësuar atë si një periudhë mashtrimi, pazare dhe nëpërkëmbje të interesave të shqiptarëve.
Në një status në rrjete sociale, Azizi thekson se qeverisja shumëvjeçare e BDI-së ishte në funksion të pasurimit personal dhe shkeljes së të drejtave të shqiptarëve.
“BDI shiti gjuhën, nëpërkëmbi përfaqësimin, harroi studentët, la pas dore diasporën dhe pasuroi vetveten, ndërsa popullin e la në varfëri dhe në kufi, duke ikur,” deklaroi ajo.
Sipas saj, shqiptarët për vite me radhë janë mashtruar me retorikë boshe, ndërsa realiteti ka qenë i dhimbshëm: luks për liderët, varfëri për qytetarët. Por sipas Azizit, ajo kohë ka përfunduar dhe është koha e ndryshimit.
“Sot, ajo kështjellë mashtrimesh u shemb. VLEN sjell drejtësi aty ku ata ushtruan padrejtësi, barazi aty ku pati diskriminim dhe dinjitet aty ku përçmuan shqiptarët. Ata i deshën të përulur e të heshtur, por ne u kthejmë dinjitetin pa frikë!”
Ajo përfundon deklaratën me mesazhin se shqiptarët nuk mashtrohen më dhe se zgjuarësia e tyre ka vënë pikën mbi “i”-në për një epokë të re të drejtësisë dhe barazisë nën qeverisjen e re.