Nga Roald A. Hysa
Në këto momente, nisma e deputetit Lefter Gështenja për të pasur mundësi besimtarët muslimanë të falin xhumanë lirisht ka hapur një debat të gjerë me pro edhe kundra ndaj kësaj nisme. Kjo nisëm u paraqit në Komisionin e Punës dhe Çështjeve Sociale për t’u diskutuar dhe më pas ky projektligj të kalonte në seancë plenare, mirëpo ka hasur në kundërshtimin e deputetëve socialistë e sidomos të znj. Milva Ekonomi, e cila e ka kundërshtuar me zjarr, sepse shteti ynë është laik.
E para Kushtetuta e Shqipërisë nuk flet dhe as që e përmend termin laik dhe laicitet në të gjithë përmbajtjen e saj dhe sipas Kushtetutës së Shqipërisë në Neni 10/ 1. Në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare. 2. Shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike. Pra siç mund të shihet qartë nga neni, të cilit iu referua deputetja Milva Ikonomi shteti është asnjanës për problemet e besimit, porse e ka detyrë të garantojë lirinë e shprehjes së besimit në publik.
E parë në këtë prizëm edhe falja e xhumasë, e cila është një nga detyrimet themelore të një besimtari musliman hyn në këtë nen dhe prandaj është krejtësisht e ligjshme të kërkohet dhe të zbatohet nisma e deputetit Lefter Gështenja.
Kjo është një kërkesë e kahershme nga të gjithë muslimanët, të cilëve ju duhet të largohen nga vendi i punës për të kryer ritin e faljes së xhumasë.
Praktikimi i faljes së Xhumasë përbën një obligim fetar, i rregulluar nga normat themelore të Fesë Islame, dhe njihet gjerësisht si një nga shtyllat e rëndësishme të përkushtimit fetar të besimtarëve myslimanë.
Lejimi i kësaj praktike gjatë ditës së premte nuk bie ndesh me parimet kushtetuese, por përkundrazi, përbën një hap drejt garantimit të lirisë së besimit, ndërgjegjes dhe ushtrimit të fesë, të garantuar nga neni 24 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nga aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, ku vendi ynë është palë.
Kjo nismë përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm për kohezionin social dhe respektimin e diversitetit fetar, duke i dhënë mundësi qytetarëve të përkushtuar, që të mos vendosen përballë zgjedhjes ndërmjet përmbushjes së detyrimeve të tyre fetare dhe atyre profesionale, pra, puna apo falja.
Shpresojmë që të dyja palët kryesore parlamentare të bien dakord në Komisionin e Punëve dhe Çështjeve Sociale dhe t’i hapin rrugë miratimit të kësaj nisme të domosdoshme për jetën e përditshme të një myslimani.