Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se do t’i dërgojë një letër sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për t’i kërkuar që të mos lejohet hapja për qarkullim e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Vuçiq ka thënë se do t’i kërkojë Rutte-s që të ndërhyjë lidhur me planin për hapjen e urës, ndërsa ka kritikuar edhe komandantin e KFOR-it, gjeneralin Ozkan Ulutas.
“Këtë po e bën turku, komandanti i KFOR-it. Sot do t’i shkruaj Mark Rutte-s dhe shpresoj që t’i përgjigjet letrës sime dhe ta pranojë kërkesën time që kjo të mos bëhet”, ka deklaruar Vuçiq në Beograd.
Ai e ka cilësuar situatën si “turp të madh dhe zhgënjim”, duke pretenduar se zhvillimet e fundit tregojnë, sipas tij, nervozizëm në radhët e ndërkombëtarëve.
Vuçiq ka thënë gjithashtu se Serbia do të shohë se si mund t’i ndihmojë, siç është shprehur ai, “popullit të vet”, duke shtuar se sipas tij “gjërat po ndryshojnë në botë”.
Kjo deklaratë vjen një ditë pasi Bashkimi Evropian ka konfirmuar se janë plotësuar kushtet për hapjen për qarkullim të automjeteve të urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

