Deputetja Gordana Siljanovska Davkova do të jetë kandidate e VMRO-DPMNE-së për presidente shteti.
Të gjitha anketat për nevojat e VMRO-së, por edhe ato nacionale, tregojnë se Siljanovska e ka mbështetjen më të madhe në elektoratin e VMRO-së dhe është më e pranueshme për votuesit maqedonas në vend.
Kështu, për gazetën KOHA thonë zyrtarë të lartë të VMRO-DPMNE-së, sipas të cilëve, në listën me emra të kandidatëve të mundshëm për president shteti kanë qenë edhe disa emra tjerë – anëtarë dhe afërt me politikat e VMRO-së, por që mbështetjen më të madhe e ka marrë deputetja më e vjetër në Parlamentin e Maqedonisë, Gordana Siljanovska Davkova.
“VMRO kishte eliminuar disa emra më pak të mbështetur nga anëtarësia e partisë, ndërsa në fund kanë mbetur dy-tre emra, në mesin e së cilës emri i deputetes Siljanovska dhe profesorit, njëherësh anëtarë i Komitetit ekzekutiv të partisë, Aleksandar Spasenovski. Megjithatë, mbështetje më të madhe ka marrë Siljanovska dhe duket punë e kryer kandidimi i saj”, thonë nga kjo parti.
Siljanovska ka qenë kandidate për presidente edhe në zgjedhjet presidenciale të vitit 2019, karshi presidentit aktual – Stevo Pendarovski i LSDM-së. Në raundin e parë, Pendarovski i mbështetur nga LSDM kishte fituar 323.892 vota, Gordana Siljanovska-Davkova e mbështetur nga VMRO-DPMNE dhe koalicioni 319.364 vota dhe Blerim Reka i mbështetur nga partitë opozitare shqiptare (Aleanca e Shqiptarëve dhe Lëvizja BESA) kishte fituar 79.921 vota. Në raundin e dytë, Pendarovski u mbështet edhe nga elektorati shqiptarë dhe fitoi gjithsej 435.656 vota apo po 53.59%, ndërkohë që Siljanovska 377.446 vota, ose 46.41% të trupit votues. (koha.mk)