VLEN: Padia penale ndaj Bekteshit është dëshmi e së kaluarës korruptive të BDI-së

2 Min. Leximi

Koalicioni VLEN ka mirëpritur dhe mbështetur çdo aktivitet që ka për “qëllim forcimin e ligjit dhe rendit në Maqedoni të Veriut”. Ata vlerësojnë se ndjekja e veprimeve të paligjshme dhe korrupsionit është thelbësore për të garantuar një sistem të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët. Padia e fundit ndaj ish-ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, për “pengim të drejtësisë,” e cila dyshohet se është kryer një ditë para zgjedhjeve parlamentare, thonë nga VLEN e vërteton në mënyrë të qartë dhe të prerë që partia nga e cila vjen Bekteshi ka qenë pjesë e një oktopodi të krimit, korrupsionit dhe vjedhjes së votave, transmeton Portalb.mk.

“Ky rast është një dëshmi e fortë se periudha e gjatë e qeverisjes së partisë së Bekteshit ka sjellë jo vetëm vjedhje të qytetarëve, por edhe ushtrim të presionit të pashembullt mbi shqiptarët për të shprehur vullnetin e tyre të lirë përmes votës. Koalicioni VLEN gjithmon do të angazhohet për sundim të ligjit, asnjëherë për revanshizëm poliik. Prandaj, i bëjmë thirrje organeve gjyqësore që përmes një procedure korrekte dhe të drejtë personi në fjalë të dëshmojë pafajsinë ose t’i vërtetohet fajsia varësisht prej provave”, thonë nga VLEN.

- Advertisement -

Kujtojmë në buletinin ditor të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për datën 25 korrik 2024, shkruan se 39-vjeçari nga Kërçova dyshohet për veprën penale “pengim i drejtësisë”, të kryer një ditë para zgjedhjeve parlamentare. Bekteshi akuzohet për një krim të rëndë me dënim minimal prej 1 vit burg dhe një dënim maksimal që mund të arrijë deri në burgim të përjetshëm në rast të pasojave të rënda.

- Advertisement -

Për këtë rast reagoi vetë Bekteshi duke publikuar një fotografi nga mesazhi të cilin ai thotë se ia ka dërguar shefit të SPB Ohër.

BDI i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar, mediave dhe e shoqërisë civile të monitorojnë nga afër këto zhvillime dhe të mbajnë qeverinë përgjegjëse për veprimet e saj.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull