Koalicioni VLEN ka njoftuar se ndodhet në fazën përfundimtare të bashkimit në një subjekt të vetëm politik, një hap që sipas tyre do të forcojë më tej pozitën në skenën politike në Maqedonia e Veriut.
Në deklaratën zyrtare thuhet se me këtë proces, VLEN “konfirmohet edhe zyrtarisht si forca e dytë politike në vend”, duke theksuar njëkohësisht se qeveria aktuale ka “shumicë stabile dhe të konsiderueshme”, me tendencë zgjerimi të mëtejshëm.
Koalicioni i referohet edhe rezultateve të fundit zgjedhore, duke deklaruar se “VLEN fitoi 10 komuna, përkatësisht rreth 80% të komunave me shumicë shqiptare”, çka sipas tyre përbën “dëshmi të qartë dhe të padiskutueshme se ku qëndron besimi i qytetarëve”.
Në vijim të njoftimit, theksohet se prioritet mbetet orientimi drejt politikave konkrete: “Fokusi kryesor duhet të jetë realizimi i politikave që përmirësojnë standardin jetësor të qytetarëve dhe forcojnë funksionet shërbyese të pushtetit ekzekutiv.”
Nga VLEN vlerësojnë se procesi i unifikimit do të kontribuojë në konsolidimin e përfaqësimit politik dhe në rritjen e efikasitetit në vendimmarrje.

