VLEN: Gënjyen për 22 vite, premtuan e nuk e bënë, për një vit po i japim fund hipokrizisë së BDI-së

4 Min. Leximi

Për më shumë se dy dekada në pushtet, BDI nuk ndërmori asnjë veprim real për të siguruar përfaqësim të drejtë dhe dinjitet për qytetarët. Megjithëse premtimet ishin të shumta dhe të përsëritura, gjithçka mbeti në nivel propagande. Në vend të zgjidhjes, BDI ndërtoi një sistem manipulativ me Balancuesin famëkeq, të cilin e përdori për të kontrolluar administratën dhe për të mashtruar qytetarët me shifra boshe. Premtimet për reforma ligjore u bënë vetëm për fushatë, por nuk u zbatuan kurrë.
Në mandatin 2020–2024, në kuadër të fushatës “Koha për kryeministrin e parë shqiptar”, BDI kishte premtuar zgjidhje përfundimtare për përfaqësimin e drejtë, duke e renditur këtë ndër pesë projektet kyçe të saj, në rast se Naser Ziberi bëhej kryeministër. Në faqen 65 të programit zgjedhor, ata zotohen për: Ndryshim të Ligjit për nëpunësit administrativë, Ndryshim të Ligjit për të punësuarit në sektorin publik, Vendosjen e grafës etnike në vërtetimet për nënshtetësi, Ndryshim të Ligjit për evidentim amë, me qëllim shtimin e kolonës për përkatësinë etnike.
Edhe në programin e mëvonshëm të “Frontit Evropian – Evropa 2030”, BDI vazhdon me retorikën mashtruese, duke deklaruar se “do të avancohet praktika e punësimit duke përdorur mekanizmin ligjor të balancuesit”, megjithëse ishte më se e qartë që Balancuesi kishte dështuar si mekanizëm.
Ndërkaq, me Strategjinë për Reforma në Administratën Publike 2023-2030 të cilën më pas vet Qeveria ku bënte pjesë BDI e miratoi, Balancuesi nënvizohej jo vetëm si vegël që ka sjellë shpërdorime të shumta, por edhe atë pabarazi dhe korrupsion, dhe se në vend të ishte instrument për punësim të qytetarëve të përkatësive etnike, u jepte përparësi listave partiake të punësimit, listave me miqësi, apo edhe manipulimeve të tjera të ndryshme.
Në këtë strategjie theksohej: “…mjeti i quajtur “balancues”, në praktikë shkakton abuzime të shumta. Duhet të zbatohet parimi i përfaqësimit adekuat dhe të drejtë të pjesëtarëve të komuniteteve. Me kritere dhe procedura objektive të një konkursi të hapur për përzgjedhjen e kandidatit më të mirë, të kryer nga profesionistë të administratës që zotërojnë një ekspertizë dhe integritet të lartë, do të krijohet një mburojë nga ndikimi politik”.
Edhe në raportin e skriningut nga KE-ja, për Klasterin 1, (Vlerat themelore), theksohej në mënyrë taksuese se mekanizmi i “balancuesit”, i cili përcakton përqindjen e përfaqësimit të punonjësve të sektorit publik nga çdo grup etnik “nuk i përmbush më objektivat dhe se formula nuk pasqyron të dhënat e regjistrimit të popullsisë që jeton në vend”.
Për katër vite me radhë (2020–2024), BDI jo vetëm që nuk e përmbushi asnjë prej këtyre zotimeve, por vazhdoi të keqpërdorë Balancuesin famëkeq për përfitime partiake, pa ndërmarrë asnjë reformë ligjore.
Ndërkaq, sot, më 24 qershor 2025, 24 vite pas Marrëveshjes së Ohrit, VLEN po miraton Ligjin për Përfaqësim të Drejt dhe Adekuat, një akt historik që mbyll një kapitull të gjatë të hipokrizisë politike dhe hap rrugën për përfaqësim të garantuar ligjërisht, me mekanizma të qartë ekzekutivë dhe afate konkrete për zbatim.
Ky ligj nuk është vetëm një reformë administrative është një hallkë kyçe e papërmbushur e Marrëveshjes së Ohrit që tashmë po plotësohet. Për herë të parë, përfaqësimi i drejtë nuk do të mbetet më një slogan fushate, por bëhet pjesë përbërëse e rendit kushtetues dhe ekzekutiv të shtetit

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull