Ka vdekur papritmas në moshën 32-vjeçare në Filipine, Shawn Keeley, 32 vjeç, u bë milioner brenda natës në vitin 2020 pasi fitoi çmimin kryesor prej 1 milion funtesh (rreth 1.1 milion euro) nga një kartelë gërvishtëse.
Ish-menaxheri i një supermarketi Eurospar në Dungiven të qarkut Derry kishte blerë kartelën fituese “£50M Mega Cash Showdown” në filialin lokal të Eurospar-it. Sipas mediave irlandeze, Keeley kishte jetuar kohët e fundit në Filipine.
Që nga publikimi i lajmit për vdekjen e tij të papritur, miq, familjarë dhe ish-kolegë kanë shpërndarë mesazhe prekëse në rrjetet sociale.
“Nuk mund ta besoj që ka ikur”, shkroi një mik i tij. “Shawn ishte njeri që ndriçonte çdo dhomë sapo hynte brenda. Mendimet dhe lutjet e mia janë me familjen e tij”.
Një ish-koleg pune tha se ishte i pikëlluar nga lajmi.
“U trondita kur dëgjova këtë lajm të hidhur për Shawnin. Kam pasur kënaqësinë të punoj me të në Eurospar dhe kemi ndarë shumë momente të bukura e të qeshura. U prehtë në paqe. Ngushëllime familjes”.
Një tjetër mik e përshkroi si “shpirtin e çdo mbrëmjeje” dhe si një person me “zemër të artë”.
Lajmi për vdekjen e tij u publikua nga kompania funerale McLaughlin Funeral Directors në Dungiven.
“Me keqardhje ju njoftojmë se Shawn Keeley ka ndërruar jetë papritur, por në paqe, më 23 maj 2026. U prehtë në paqe”, thuhet në njoftim.
Në njoftim ai përshkruhet si djali i dashur i Tiney dhe Noel, vëllai i Christopher, Paul dhe Gauvin, si dhe partneri i E.J., i cili do të mungojë shumë nga familja dhe të afërmit e tij.
Në vitin 2020, duke kujtuar momentin kur fitoi 1 milion funte, Keeley kishte treguar se gjithçka nisi pasi bleu disa kartela gërvishtëse me vlerë 3 funte.
“Fitova 30 funte dhe me ato para bleva edhe disa kartela të tjera prej 5 funtesh. Zakonisht i gërvishtja në makinë, por atë ditë i mora në shtëpi sepse po bëhesha gati për një festë me miq”, kishte rrëfyer ai.
Ai tha se i harroi kartelat në xhaketë dhe vetëm më vonë, pasi u përgatit për të dalë, kujtoi t’i kontrollonte.
“Papritur pashë se numrat përputheshin dhe kartela më tregonte se kisha fituar çmimin kryesor prej një milion funtesh”, kishte kujtuar ai.
Rrethanat e vdekjes së 32-vjeçarit nuk janë bërë të ditura

