Të dhënat personale janë vetëm personale dhe nuk ka nevojë asesi të ndahen me publikun, aq më pak në raste kur merren lejet e vozitjes nga të rinjtë që publikohen pa kurrfarë problemi dhe duke ekspozuar të gjitha të dhënat personale. Kjo gjë krijon pasiguri dhe raste potenciale për keqpërdorim të të njëjtave. Blerjet online janë shpeshtuar bashkë me këto edhe pasiguria dhe rastet kur ndodhin keqpërdorimet nuk janë të pakta. Prandaj, çdo hyrje në faqe interneti gjithkund ku kërkohen të dhënat personale duhet kujdes maksimal dhe verifikim i patjetërsueshëm. Një qytetar në internet ka sqaruar se ka rënë pre e mashtrimit duka ia marrë 850 euro dhe ka shpërndarë foto nga transaksionet bankare. Prandaj, duhet kujdes i shtuar pasi keqpërdorimet e tilla vazhdojnë të ndodhin, shkruan Zhurnal.
Qytetari bie pre e mashtrimit me SMS porosi, i marrin 850 euro nga kartela bankare –
Prej disa ditësh qytetarët në rrjetet sociale dhe bankat kanë paralajmëruar për një mashtrim aktiv që u vjen si sms që duhet të paguajnë për dërgesën që presin. Tashmë bankat kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një mashtrim dhe për fat të keq disa nga qytetarët, në pritje të dërgesës së tyre, kanë rënë në mashtrim dhe kanë humbur paratë.
Një qytetar në internet ka sqaruar se ka rënë pre e mashtrimit duka ia marrë 850 euro dhe ka shpërndarë foto nga transaksionet bankare.
Të dhënat personale që publikohen nuk janë aspak të sigurta, prandaj kujdes i shtuar-
Qytetarët, pa marrë parasysh moshën, duhet të jenë përgjegjës kur i publikojnë ose i japin të dhënat e tyre personale, apelojnë nga Agjencia për mbrojtjen e të dhënave personale, duke shtuar se numri i keqpërdorimeve për çdo vit po rritet.
“Të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh moshën, duhet të jenë përgjegjës kur i publikojnë të dhënat personale. Shpesh shohim se si për shkak të realizimit të të drejtave, marrjes së shpërblimeve, kur aplikojnë për diçka ose për të shkuar në ndonjë udhëtim, me lehtësi të madhe këmbejnë të dhëna të tyre, madje edhe fotografi dhe letërnjoftime. Për fat të keq, disa prej tyre kanë pësuar ose do të pësojnë humbje financiare, shkelje të autoritetit dhe nderit, madje ndonjëherë mund të kushtojë edhe me jetë të dikujt. Për këtë shkak nevojitet që të gjithë të sillemi me përgjegjësi lidhur me veprimet tona”, tha Slobodanka Slavkovska, supervisore e lartë nga Agjencia për mbrojtjen e të dhënave personale (AMDHP), gjatë shënimit të Ditës evropiane për mbrojtjen e të dhënave personale.
Më 28 janar, çdo vit shënohet Dita evropiane për mbrojtjen e të dhënave personale, me rastin e 17 vjetorit nga miratimi i Konventës së Këshillit të Evropës për mbrojtjen e të dhënave personale. Konventa paraqet dokument të parë juridikisht obligativ ndërkombëtar në sferën e mbrojtjes së të dhënave personale. Ajo ka për qëllim ta ngritë vetëdijen dhe t’i promovojë praksat e mira për mbrojtje të privatësisë dhe të dhënave personale.
Ndryshe, autoritetet dhe përfaqësuesit e BE-së apeluan për zbatimin konsekuent të Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. AMDHP, siç theksoi drejtori i saj Imer Aliu, po ballafaqohet me mungesë të të punësuarve.
AMDHP i përkujtoi të gjitha ministritë dhe institucionet se zgjidhjet ligjore dhe aktet nënligjore që i përgatisin, duhet t’i dorëzojnë deri te ata për mendim. Qytetarët dhe personat juridikë mund t’i paraqesin shkeljet ose keqpërdorimet e të dhënave personale përmes uebfaqes së AMDHP-së, e cila paradokohe ka uebfaqe të re, e përgatitur me ndihmë të BE-së.
Shumë shpejtë do të publikohen edhe anketa për çështje të ndryshme aktuale. Përmes uebfaqes kërkesa të caktuara do të mund të parashtrojnë edhe qytetarë edhe oficerë për mbrojtjen e të dhënave personale, të paraparë janë edhe forma për vetevaluim. AMDHP së shpejti do të fillojë procedurë për strategji të re për punë, për çka në uebfaqen do të dërgohet thirrje për pjesëmarrje të të gjithë palëve të prekura.
Keqpërdorimet me të dhënat personale –
Zakonisht keqpërdorimet më të mëdha ndodhin me qytetarët që janë më të shtyrë në moshë, pasi po të njëjtit përdorin rrjetet sociale, hynë në faqe të ndryshme, por jo mjaftueshëm janë të informuar për tu mbrojtur nga ndonjë keqpërdorim i mundshëm.
Raste të shpeshta ndodhin kur pranojmë emaile të ndryshme nga njerëz të panjohur me email të pa identifikuar, por që përbrenda emailit me përmbajtje manipulative, duke filluar me prezantim e pastaj me ofertë për bashkëpunim, apo të shpeshta janë rastet kur edhe bëhen lajthitjet të formave që keni një testament, keni fituar kaq para, e gjëra të tilla që në shikim të parë janë banale për gjeneratat e reja.
E kërkesa këtyre manipulatorëve kibernetik është që të dërgojnë të dhënat, një kartelë banke, një dokument identifikimi e gjëra të tilla që janë të nevojshme për t’i realizuar qëllimet e tyre. Prandaj, edhe është mëse e nevojshme mbi atë se çfarë publikojmë në rrjete sociale. Shpesh herë ndodhë që marrja e patentë shoferit të publikohet në rrjete sociale si shenjë gëzimi pa mbuluar as një të dhënë personale, që është gabim trashanik dhe nuk duhet përsëritur sepse gjasat maksimale janë për një keqpërdorim të mundshëm.
Përmes, një fotoje të dokumentit të identifikimit ka raste që persona të ndryshëm në emër të huaj kanë tërhequr edhe kredi bankare, ose përmes blerjeve online janë marrë numrat e kartelave dhe pastaj janë tërhequr të holla në masë të madhe.
Ligji i Mbrojtjes së të Dhënave Personale rregullon mbrojtjen e të dhënave personale si liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve dhe veçanërisht të drejtat e privatësisë në lidhje me përpunimin e tyre.
Kujtojmë që, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës më 26 prill të vitit 2006 vendosi çdo vit 28 janari të festohet si Ditë e mbrojtjes së të dhënave personale. Në këtë ditë është hapur për nënshkrim Konventa 108 për mbrojtjen e personave gjatë përpunimit automatik të të dhënave personale të KE-së dhe më shumë se 30 vite është themel për mbrojtjen e të dhënave personale në Evropë dhe më gjërë. Dita e mbrojtjes së të dhënave personale sot festohet globalisht edhe jashtë Evropës dhe është e njohur si Dita e privatësisë.