Renditja e UNIRANKS për vitin 2027 nxjerr sërish në pah hendekun e madh të arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut krahasuar me universitetet më të pozicionuara të rajonit. Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, institucioni më i madh dhe më i vjetër universitar në vend, renditet vetëm në pozitën 18.051 në botë. Universitetet shqiptare janë edhe më poshtë: UEJL në vendin 19.417, USHT në 19.517 dhe UNT në 22.536. Për krahasim, Universiteti i Beogradit renditet i 357-ti në botë, ndërsa Universiteti i Tiranës në pozitën 3.521
Evis HALILI
Shkup, 31 gusht – Universitetet e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të mbeten shumë larg universiteteve më të mirëpozicionuara në botë, por edhe pas një pjese të konsiderueshme të konkurrencës rajonale. Të dhënat e renditjes së UNIRANKS – faqes së specializuar për përcjelljen dhe renditjen e cilësisë në arsimin e lartë, për vitin 2027 tregojnë se as universiteti më i madh shtetëror në vend nuk arrin të futet mes 18 mijë universiteteve të para në botë, shkruan gazeta KOHA.
Sipas renditjes, Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup (UKM), që tradicionalisht konsiderohet institucioni kryesor i arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut, pozicionohet në vendin 18.051 në botë. Pas tij vjen Universiteti “Goce Dellçev” në Shtip, në vendin 19.046. Edhe më poshtë renditen universitetet me mësim në gjuhën shqipe. Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) është në pozitën 19.417, ndërsa Universiteti Shtetëror i Tetovës (USHT) renditet vetëm 100 vende më poshtë, në pozitën 19.517. Pozicion edhe më të dobët ka Universiteti “Nënë Tereza” (UNT) në Shkup, i cili gjendet në vendin 22.536 në ranglistën botërore. Universiteti Evropian në Shkup, ndërkaq, renditet në pozitën 34.828.
Shifrat tregojnë se problemi nuk kufizohet vetëm te një universitet. Pozicionimi i institucioneve kryesore të arsimit të lartë të vendit në dhjetëra mijëra vende larg kreut të tabelës, ngre pikëpyetje serioze për konkurrueshmërinë, cilësinë akademike, kërkimin shkencor, ndërkombëtarizimin dhe kapacitetin e universiteteve të Maqedonisë së Veriut.
BEOGRADI 357, TIRANA 3.521 DHE SHKUPI 18.051
Dallimi bëhet edhe më i dukshëm kur rezultatet e Maqedonisë së Veriut krahasohen me universitetet e rajonit. Universiteti i Beogradit renditet në vendin 357 në botë, duke lënë mijëra pozicione pas universitetet e Maqedonisë së Veriut. Edhe Universiteti i Tiranës, i pozicionuar në vendin 3.521, është shumë përpara universitetit më të mirë të renditur nga Maqedonia e Veriut. Ndërkohë, Universiteti i Prishtinës gjendet në pozitën 14.341, pra gjithashtu përpara Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, i cili renditet në vendin 18.051, përcjell KOHA.
Kjo do të thotë se, sipas kësaj renditjeje, universiteti më i mirëpozicionuar i Maqedonisë së Veriut është rreth 17.700 pozicione pas Universitetit të Beogradit, mbi 14.500 pozicione pas Universitetit të Tiranës dhe rreth 3.700 pozicione pas Universitetit të Prishtinës. Për universitetet shqiptare në Maqedoninë e Veriut diferenca është edhe më e thellë. UEJL dhe USHT renditen poshtë pozitës 19 mijë, ndërsa UNT kalon edhe pragun e vendit 22 mijë.
ELITA BOTËRORE MBETET SHUMË LARG
Në majën e renditjes së UNIRANKS për vitin 2027 ndodhen disa prej emrave më prestigjiozë të arsimit të lartë botëror. Në vendin e parë renditet Instituti i Teknologjisë i Masaçusetsit (MIT), pasuar nga Universiteti i Kembrixhit në vendin e dytë dhe Universiteti i Stanfordit në të tretin. Universiteti i Oksfordit zë pozitën e katërt, ndërsa Universiteti i Harvardit kompleton pesëshen e universiteteve më të mirëpozicionuara në botë. Përballë kësaj elite universitare, institucionet e arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut jo vetëm që nuk arrijnë t’i afrohen TOP 100, TOP 500 apo TOP 1.000, por as universiteti më i mirëpozicionuar në vend nuk futet në TOP 18.000.
ÇFARË MAT UNIRANKS?
UNIRANKS thotë se vlerëson gjithsej 37.448 universitete në 228 vende dhe territore, duke përfshirë institucione të verifikuara, universitete elitare, fusha akademike, renditje sipas disiplinave, ndikimit në qëndrueshmëri dhe treguesve të performancës. Sipas organizatës, metodologjia nuk kufizohet vetëm te numri i punimeve shkencore apo reputacioni i emrit të universitetit. Metodologjia “V4.1.6.2” e UNIRANKS bazohet në 410 tregues të organizuar në 11 dimensione kryesore, përmes të cilëve synohet të krijohet një vlerësim shumëdimensional i performancës së institucioneve të arsimit të lartë.
Në vlerësim përfshihen, mes tjerash, cilësia e arsimit, performanca kërkimore-shkencore, punësueshmëria e të diplomuarve, infrastruktura dhe kushtet që u ofrohen studentëve, mirëqenia studentore, infrastruktura digjitale, ndërkombëtarizimi, kapaciteti institucional, ndikimi online dhe përvoja e drejtpërdrejtë e studentëve. Për pjesën kërkimore merren në konsideratë tregues si rezultatet e kërkimit shkencor, ndikimi i citimeve, numri dhe aktiviteti i studiuesve, bashkëpunimet kërkimore, rritja e aktivitetit shkencor, ndikimi i kërkimit dhe bashkautorësia ndërkombëtare.
410 TREGUES PËR TË MATUR PERFORMANCËN
UNIRANKS përdor një model me burime të shumëfishta të të dhënave. Informacionet mund të sigurohen drejtpërdrejt nga universitetet, por kombinohen me të dhëna dhe dëshmi të mbledhura në mënyrë të pavarur, baza kërkimore, të dhëna institucionale, informacione publike, matje digjitale dhe reagime nga palët e interesuara. Sistemi përfshin matje sasiore dhe cilësore, si dhe procedura për validimin dhe verifikimin e të dhënave. Teknologjia, automatizimi dhe Inteligjenca Artificiale mund të përdoren në faza të caktuara të mbledhjes, klasifikimit, përputhjes dhe përpunimit të të dhënave apo kontrollit të cilësisë. Megjithatë, sipas UNIRANKS, renditja nuk është një sistem i gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale.
Metodologjia, treguesit, peshimi, mënyra e vlerësimit, kriteret e verifikimit dhe publikimi përcaktohen përmes procesit metodologjik të UNIRANKS dhe me mbikëqyrje njerëzore.
Qëllimi i deklaruar është që universiteti të mos vlerësohet vetëm nga emri, madhësia apo numri i publikimeve, por nga ajo që realisht u ofron studentëve, akademikëve, të diplomuarve dhe komunitetit. Pikërisht për këtë arsye, pozicionimi kaq i ulët i universiteteve të Maqedonisë së Veriut është një sinjal që kërkon analizë përtej vetë numrave. Në një treg gjithnjë e më konkurrues të arsimit të lartë, universitetet e vendit vazhdojnë të kenë një distancë të madhe jo vetëm nga elita akademike botërore, por, sipas UNIRANKS, edhe nga disa prej universiteteve kryesore të rajonit.
UNIRANKS thotë se për vitin 2027, vlerëson 37.448 universitete në 228 vende dhe territore, duke përfshirë institucione të verifikuara, universitetet më të mira në botë (World TOP Universities), universitetet elitare (Elite Universities), fushat akademike, renditjet sipas lëndëve dhe disiplinave, renditjet e ndikimit në qëndrueshmëri, si dhe renditjet sipas treguesve të performancës. (koha.mk)

