Numri i rasteve të konfirmuara me ethet e Nilit Perëndimor në vend është rritur në 50, pasi brenda një dite janë regjistruar edhe gjashtë raste të reja.
Pesë prej tyre janë nga rajoni i Shkupit. Tre janë banorë të Gazi Babës, të gjithë mbi 70 vjeç. Një pacient është nga Zelenikova dhe është 26 vjeç, ndërsa një tjetër nga Aerodromi, 59 vjeç.
Një rast i ri është regjistruar edhe në Kumanovë, ku bëhet fjalë për një burrë 65-vjeçar nga një zonë periferike, i cili është shtruar në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup.
Sipas informacioneve nga Qendra për Shëndet Publik në Kumanovë, pacienti nuk kishte udhëtuar jashtë vendit para se të sëmurej.
Drejtori i Qendrës për Shëndet Publik në Kumanovë, Herolind Sakipi, informoi se gjendja shëndetësore e pacientit është e rëndë. Përveç infektimit me virusin e Nilit Perëndimor, ai vuan edhe nga sëmundje kronike, përfshirë diabetin, të cilat mund të ndikojnë në ecurinë e sëmundjes.
Pas rastit është zhvilluar një hetim epidemiologjik me anëtarët e familjes së ngushtë. Janë paralajmëruar gjithashtu masa përkatëse, përfshirë dezinsektimin e objektit dhe hapësirës ku ka qëndruar i infektuari, si dhe të zonave të tjera ku ekziston mundësia që ai të jetë pickuar nga një mushkonjë e infektuar.
Deri tani, pesë persona kanë humbur jetën nga pasojat e sëmundjes gjatë këtij sezoni veror.

