Turqia dhe Egjipti kanë kundërshtuar çdo përpjekje për të zhvendosur ose dëbuar palestinezët nga atdheu i tyre, duke kërkuar nga Izraeli që të lejojë agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) të vazhdojnë punën humanitare, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë zyrtare të përbashkët të lëshuar pas një takimi në Ankara midis ministrit turk të Punëve të Jashtme, Hakan Fidan dhe homologut të tij egjiptian, Badr Abdelatty, u theksua rëndësia e ruajtjes së rolit të UNRëA-së dhe u kërkua nga Izraeli të kthejë vendimet e tij që minojnë punën e agjencisë.
Deklarata theksoi rolin e UNRëA-së në mbështetjen e refugjatëve palestinezë në territoret e pushtuara.
Të dy vendet përsëritën mbështetjen e tyre të fortë për qëndrueshmërinë e popullit palestinez, lidhjen me tokën e tyre dhe të drejtat legjitime.
Ata dënuan çdo veprim që synon zhvendosjen e palestinezëve, duke paralajmëruar se masa të tilla do të kërcënonin stabilitetin rajonal, do të rrezikonin përshkallëzimin e konfliktit dhe do të minonin perspektivat për paqe dhe bashkëpunim.
Deklarata gjithashtu riafirmoi angazhimin e dy vendeve për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme të bazuar në të drejtën ndërkombëtare, rezolutat e OKB-së dhe zgjidhjen me dy shtete.
Gjithashtu theksoi nevojën për të adresuar shkaqet rrënjësore të paqëndrueshmërisë në Lindjen e Mesme duke krijuar një shtet të pavarur palestinez brenda kufijve të 4 qershorit të vitit 1967, me Kudsin Lindor si kryeqytet.