Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se Irani ka njoftuar hapjen e Ngushticës së Hormuzit për kalim të plotë, transmeton Anadolu.
“Irani sapo ka njoftuar se Ngushtica e Iranit (Hormuzit) është plotësisht e hapur dhe e gatshme për kalim të plotë. Faleminderit”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
Deklaratat e tij erdhën menjëherë pasi ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, shpalli se Ngushtica e Hormuzit është “plotësisht e hapur” për të gjitha anijet tregtare, duke e lidhur këtë vendim me armëpushimin në Liban.
Vendimi u mor “në përputhje me armëpushimin në Liban”, tha Araghchi në një deklaratë në platformën sociale amerikane X.
Të enjten, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi një armëpushim dhjetëditor midis Izraelit dhe Libanit.
Teherani vendosi kontroll mbi këtë rrugë detare kyç menjëherë pasi SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftë kundër Iranit më 28 shkurt, duke ndikuar në furnizimet globale të energjisë dhe trafikun detar.
SHBA-ja ka vendosur gjithashtu një bllokadë ndaj porteve iraniane që nga e hëna e kësaj jave.
Megjithatë, të dy palët kanë vazhduar të angazhohen përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, ndërsa njoftimi i Araghchit erdhi pasi shefi i ushtrisë së Pakistanit, gjenerali Asim Munir, u takua me udhëheqjen më të lartë civile dhe ushtarake të Iranit gjatë dy ditëve të fundit në Teheran.
Islamabadi priti bisedime të rralla midis Washingtonit dhe Teheranit fundjavën e kaluar, pasi siguroi një armëpushim 14-ditor midis SHBA-së dhe Iranit më 8 prill, ndërsa përpjekjet për t’i dhënë fund luftës vazhdojnë.

