Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 ballë ka tronditur Kolumbinë, duke shkaktuar dëme të mëdha në ndërtesa dhe duke lënë njerëz të bllokuar nën rrënoja.
Dhjetëra ndërtesa janë shembur në qytetin e Calit, dhe jo vetëm, ndërsa raportohet se persona ndodhen ende të bllokuar brenda tyre. Lajmi është bërë i ditur nga kryebashkiaku i Calit, Alejandro Eder, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), epiqendra e tërmetit ndodhej pranë San José del Palmar, në rajonin Chocó. Lëkundjet u ndjenë në një zonë të gjerë të vendit, përfshirë qytetet Cali dhe Medellín.
Autoritetet kanë raportuar gjithashtu persona të lënduar dhe dëme të rënda në ndërtesa në qytetet Quibdó dhe Pereira.
Ekipet e emergjencës kanë nisur operacionet për kërkimin dhe shpëtimin e personave që mund të kenë mbetur të bllokuar.
Katedralja e Manizales është midis ndërtesave të dëmtuara nga tërmeti i fuqishëm.

