Italia zgjedh Andrea Pirlon për stolin e kombëtares, marrëveshja drejt mbylljes

2 Min. Leximi

Andrea Pirlo është shumë pranë marrjes së drejtimit të kombëtares italiane. Ish-mesfushori i “Axurrëve” është zgjedhja e re e Federatës Italiane të Futbollit për projektin e rindërtimit të skuadrës, pas refuzimit të Pep Guardiolës.

Sipas mediave italiane, marrëveshja me Pirlon është në fazën finale dhe kanë mbetur vetëm detajet e fundit për t’u mbyllur. Kontrata e parashikuar është 4-vjeçare, me një pagë rreth 1.5 milionë euro në sezon.

Drejtuesit e Federatës kanë vendosur t’i besojnë një figure të njohur të futbollit italian, me synimin për të ndërtuar një projekt afatmesëm dhe afatgjatë për kombëtaren, pas disa rezultateve zhgënjyese në vitet e fundit.
Vendimi për Pirlon erdhi pasi u mbyll pista e Pep Guardiolës. Trajneri katalanas refuzoi ofertën për të marrë drejtimin e Italisë, duke zgjedhur të marrë një periudhë pushimi nga futbolli dhe t’i kushtojë më shumë kohë familjes.

Guardiola ishte tunduar nga propozimi i bërë nga drejtuesit italianë, mes të cilëve Paolo Maldini dhe Leonardo, por në fund vendosi të mos rikthehet menjëherë në një detyrë të re. Sipas raportimeve, arsyeja e refuzimit nuk lidhej me aspektin financiar, por me zgjedhje personale dhe familjare.

Pas mbylljes së kësaj piste, drejtuesit e Federatës italiane përshpejtuan kontaktet me Pirlon, të cilin e shohin si profilin e duhur për të udhëhequr një cikël të ri të “Axurrëve”.

Një tjetër sinjal që e afron ish-kampionin e botës me pankinën e Italisë është fakti se ai po negocion shkëputjen nga kontrata me klubin e tij aktual në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ndërkohë, sipas raportimeve nga Italia, në orët e fundit nuk ka pasur kontakte as me Roberto Mancinin dhe as me Antonio Conten, pavarësisht se ky i fundit ishte një emër i mbështetur nga disa faktorë të futbollit italian.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull