Edhe përgjatë këtij viti nuk do të mungojnë projektet e ndryshme nga Teatri Shqiptar në Shkup. Pjesë e programit të sivjetshëm do të jetë edhe organizimi i shënimit 75 vjetorit si vit jubile, pjesë e këtij jubileu pritet të jetë edhe monografia e gjithë atyre që kanë dhënë kontribut në këtë teatër, transmeton Portalb.mk.
Drejtori i Teatrit Shqiptar në Shkup Ismet Ramadani, për Portalb.mk tha se një ndër problemet me të cilat ballafaqohet teatri, është mungesa e publikut e cila viteve të fundit është më evidente.
“Teatri Shqiptar në Shkup si institucion ka disa probleme për momentin, një ndër ta është edhe mungesa e publikut e cila viteve të fundit është sa më evidente. Planifikojmë që të ndërtojmë një strategji të qartë me njerëzit në teatër, me qëllim rikthimi i publikut, si dhe rregullimi i repertorit dhe zgjedhja e saj me tekste, artist dhe shfaqje të mirëfillta dhe kualitative. Një nga prioritet e sivjetshme është të sjellim në skenë shfaqje të cilat do të komunikojnë me publikun tonë dhe do të trajtojnë tema të këtij publiku”, tha Ramadani.
Ramadani shtoi se për 75 vjetorin e themelimit të Teatrit Shqiptar, kanë paraparë që të japin premierën e shfaqjes “Martesa e Gogolit” në regji të Agon Miftarit, pasi që kjo ka qenë edhe shfaqja e parë e Teatrit Shqiptar në Shkup.
“Gjithashtu për këtë jubile do të organizojmë një javë artistike me ngjarje të ndryshme ku pos tjerash do ti thërrasim edhe aktorët e pensionuar të kenë një paraqitje si dhe do të ftojmë si mysafirë familjarët e të gjithë aktorëve të ndjerë të cilët janë ngjitur në skenën e këtij teatrit, për tu shpërblyer me nga një mirënjohje modeste, si shenjë kujtimi që si kemi harruar”, tha Ramadani.
Pjesë e këtij viti jubilar do të jetë edhe monografia duke përfshirë kontributin e gjithë atyre që kanë qenë pjesë e këtij teatri. Ai tha se pa dyshim që ata do të përgatisim edhe një monografi të pasur për të gjitha të dhënat që i posedojnë, dhe me këtë rast kanë formuar edhe një grup punues i cili do të bëjë hulumtimet, por si autor i kësaj monografie do të jetë profesori dhe Dekani i Fakultetit të Dramës në Shkup, Besfort Idrizi.
Përgjatë vitit do të ketë projekte të ndryshme. Ramadani tha se për këtë vit kanë paraparë që ta kthejnë pas 22 vitesh e më shumë, regjisorin e njohur nga Shkupi Dritëro Kasapi.
“Dritëroi është momentalisht drejtor i Teatrit Kombëtarë të Suedisë dhe ne kemi privilegj dhe kënaqësi që do ta angazhojmë. Përveç komedisë së “Gogolit”, do të kemi edhe dy komedi të tjera në regji të aktorit dhe profesorit të mirënjohur nga Prishtina Shkumbin Istrefi si dhe regjisorit të ri Besim Ugzmajlit”, tha Ramadani.
Për përmbylljen e 2025 është paraparë monodramë me tekst të Ismail Kadaresë “Bisedë mes Grilave” në regji të Naser Shatrollit.