Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se deri tani gjobat kanë qenë minimale ndaj shkelësve të Ligjit për Kontroll të Duhanit, ndërsa tani e tutje ato do të jenë nga një mijë deri në tre mijë euro, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në një njoftim në Facebook të MSh-së, thuhet se këto gjoba deri tani kanë qenë minimale me qëllim të nxitjes së bashkëpunimit të ndërsjellë pa i ngarkuar bizneset.
Njoftimi:
MOS PI DUHAN, MERR FRYMË LIRSHËM
Po vazhdon pa kompromis zbatimi i Ligjit për Kontroll të Duhanit, në të gjithë territorin e Republikës, ku nga janari deri me datë 14.03.2024 janë shqiptuar gjithsej 1328 gjoba.
Muajin e parë të vitit gjobat kanë qenë minimale, me qëllim që të nxisim bashkëpunim të ndërsjellë pa i ngarkuar bizneset, ndërsa tash e tutje gjobat për ata që thyejnë ligjin do të jenë maksimale, prej 1000 deri në 3000 euro. 🚭
🔻Duhani vret më shumë se 8 milionë njerëz çdo vit në botë, duke përfshirë rreth 1.3 milionë jo-duhanpirës të cilët janë të ekspozuar ndaj tymit të dorës së dytë;
🔻Në çdo 6.5 sekonda një njeri vdes në botë nga pasojat e duhanpirjes;
🔻Duhani vret gjysmën e përdoruesve të tij. Është shkaktari i dytë i vdekjeve në botë;
🔻Pirja e duhanit vlerësohet se shkakton: 67% të gjitha vdekjeve nga kanceri i mushkërive; 34% të vdekjeve nga sëmundjet kronike të frymëmarrjes dhe 8% të vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare.
Prandaj, mos pi duhan.
Jeto, merr frymë lirshëm