Mbrëmë, në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Reçicë, është zhvilluar një takim mes kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe liderit të Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela.
Sipas burimeve të portalit TS, temë e diskutimeve kanë qenë zhvillimet aktuale politike në vend. Takimi thuhet të ketë përfunduar në një atmosferë pozitive, me buzëqeshje dhe shtrëngim duarsh.
Nga BDI për TS kanë konfirmuar zhvillimin e takimit, pa dhënë detaje të tjera. “Po, ka pasur takim,” u shprehën shkurt për portalin TS.
Ndërkohë, pritet që në ditët në vijim të realizohet edhe një takim mes Ali Ahmetit dhe Arben Taravarit, ku pritet të diskutohet situata e krijuar pas largimit të ASH-së nga qeveria.
Në opinionin publik vazhdon të përflitet se koalicioni VLEN i ka bërë një ofertë ASH-së së udhëhequr nga Sela, duke i propozuar postin e kryetarit të Kuvendit – gjë që thuhet se ka shkaktuar pakënaqësi tek Afrim Gashi.
Ende mbetet e paqartë nëse Ziadin Sela do të rreshtohet me një qeveri të cilës i atribuohet diskriminim ndaj shqiptarëve, apo do të zgjedhë të qëndrojë në opozitë për të vazhduar misionin e tij në mbrojtje të vullnetit shqiptar.
Këto zhvillime po ndodhin në prag të zgjedhjeve lokale të tetorit, ku pritet që përballja kryesore të jetë mes Frontit Europian dhe koalicionit VLEN