Sot në mesnatë është afati i fundit kushtetues për konstituimin e Kuvendit.
Megjithatë nga Kuvendi ende nuk ka ndonjë njoftim për vazhdim të seancës konstituive të legjislaturës së 11-të, e cila u ndërpre dje pasi që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për diskutime me përfaqësues të partive, me synimin për të arritur marrëveshje për çështjen e presidentit.
As nga partitë politike, Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë njoftuar për ndonjë takim mes Kurtit e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, të cilët me herët kanë shprehur vullnet për të arritur një marrëveshje politike.
Para se seacna të ndërpritej nga kryesuesi Avni Dehari, i cili është edhe deputet i Vetëvendosjes, u arrit të përfundohen dy pikat e para të rendit të ditës: ajo për formimin e komisionit për verifikimin e mandateve të deputeteve dhe betimi i tyre.
E pasi seanca u ndërpre, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shprehur besimin se sikur seanca konstituive të përmbyllej pa marrëveshje paraprake për presidentin, zgjedhjet e parakohshme do të ishin të pashmangshme.
Në një konferencë, Kurti ka thënë se do të bëjë përpjekje për bisedime edhe me PDK-në e Aleancën, krahas LDK-së.
“Çfarëdo konstituimi i Kuvendit pa marrëveshjen për çështjen e presidentit, praktikisht do të ishte parapërgatitje për shpërndarjen e Kuvendit. Në këtë mënyrë, dhënia e mundësisë për dialog politik për të arritur marrëveshje është e vetmja mënyrë dhe zgjidhja e duhur për konstituimin e plotë të institucioneve tona, ashtu siç e do rendi dhe ashtu siç kanë votuar qytetarët në zgjedhjet e lira e demokratike, ndonëse të parakohshme e të panevojshme, të 7 qershorit”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se duhet kohë shtesë për diskutime dhe vetëm atëherë kur arrihet dakordimi për çështjen e presidentit, mund të procedohet me konstituimin e Kuvendit.
Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar para se të hyjë në seancën konstituive se do të vazhdojnë bisedimet me kreun e Lëvizjen Vetëvendosje, Albin Kurti, në funksion të arritjes së një marrëveshjeje për institucionet.
Ai ka thënë se ka afrime në disa tema, por ende nuk është arritur pajtim për çështjen kryesore, atë të presidentit. Kurti insiston që presidenti të jetë partiak, kurse Abdixhiku që posti t’i takojë LDK-së.
Me gjithë dallimin, kryetari i LDK-së ka theksuar se synimi i të dyja palëve mbetet shmangia e zgjedhjeve të reja.
“Duhet kohë, duhet përpjekje. Po përpiqemi që të gjithë ata që i përfaqësojmë t’i mbajmë rreth një zgjidhjeje të përbashkët. Nuk janë të lehta këto procese. Përderisa po përpiqemi, do të thotë se duam të shmangim zgjedhjet e reja. Shkuarja në zgjedhje është dëmi më i madh që i bëhet Republikës”, ka thënë Abdixhiku.

