Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Azir Aliu, kanë vizituar Klinikën për Sëmundjet e Fëmijëve në prag të festave të fundvitit, ku kanë shpërndarë paketa për fëmijët që po marrin trajtim mjekësor.
“Në prag të festave të fundvitit, bashkë me Ministrin e Shëndetësisë, z. Azir Aliu, vizituam Klinikën për Sëmundjet e Fëmijëve, ku pata mundësinë të ndaj paketa për fëmijët që po trajtohen aty,” ka shkruar Gashi në statusin e tij.
Ai theksoi se ky veprim, edhe pse simbolik, ka një domethënie të veçantë për fëmijët dhe familjet e tyre. “Një gjest i vogël për t’u sjellë gëzim dhe për t’u përcjellë mesazhin se nuk janë vetëm,” u shpreh kryeparlamentari.
Gashi theksoi gjithashtu rëndësinë e solidaritetit dhe përkujdesjes ndaj fëmijëve, duke nënvizuar se këto janë vlera themelore të shoqërisë. “Solidariteti dhe kujdesi për më të vegjlit janë vlera që na bashkojnë si shoqëri,” përfundoi ai.

