Snopçe: Po zbehet përfaqësimi i shqiptarëve, po rrezikohet krijimi i kuadrove të rinj

3 Min. Leximi

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka ngritur në Kuvend shqetësime lidhur me përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet publike, duke akuzuar shumicën qeverisëse për diskriminim në proceset e punësimit.

 

Snopçe ka vënë në pah disa raste të punësimit në institucione dhe ndërmarrje publike, duke argumentuar se përfaqësimi i shqiptarëve mbetet i ulët në disa sektorë, veçanërisht në strukturat e sigurisë dhe administratës.

Duke iu referuar konkursit të fundit në Shkollën e Policisë, ai theksoi se nga 310 kandidatë të pranuar, vetëm 9 janë shqiptarë. Si shembuj të tjerë, Snopçe përmendi edhe të dhënat që, sipas tij, lidhen me përfaqësimin në Drejtorinë e të Hyrave Publike dhe në ndërmarrje publike.

“56 maqedonas dhe 12 shqiptarë në HEC Mavrovë. 65 maqedonas dhe 12 shqiptarë në DAP. Vetëm 9 shqiptarë nga 310 të pranuar në Shkollën e Policisë. Përfaqësim simbolik i shqiptarëve edhe në Akademinë Ushtarake”, deklaroi Snopçe nga foltorja e Kuvendit.

Sipas tij, këto shifra nuk duhet të shihen vetëm si statistika, por si tregues për mënyrën se si po ndërtohet struktura institucionale e vendit në të ardhmen.

“Janë sinjale për atë se çfarë strukture institucionale po ndërtojmë për të ardhmen”, tha deputeti.

Snopçe ngriti gjithashtu pyetjen se çfarë do të ndodhë me përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e sigurisë dhe administratës publike në vitet e ardhshme, nëse sot nuk krijohen kuadro të mjaftueshme shqiptare.

“Nëse sot nuk krijojmë kuadro shqiptarë në polici, ushtri, administratë dhe institucionet e tjera publike, ku do të jenë ata pas 10 apo 15 vitesh?”, u shpreh ai.

Ai tha se mungesa e përfaqësimit në nivelet e rekrutimit mund të ndikojë edhe në përbërjen e ardhshme të strukturave drejtuese.

“Ku do të jenë komandantët shqiptarë të stacioneve policore? Ku do të jenë kuadrot shqiptarë në strukturat e sigurisë dhe mbrojtjes? Ku do të jenë profesionistët që nesër duhet të marrin përgjegjësi drejtuese?”, pyeti Snopçe.

Deputeti tha se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nuk duhet të matet vetëm me numrin aktual të të punësuarve, por edhe me mundësinë për të krijuar kuadro që në të ardhmen do të marrin pozita përgjegjëse në institucionet shtetërore.

“Kuadrot nuk krijohen brenda natës. Ato ndërtohen sot për të udhëhequr nesër. Nuk është pyetje për të kaluarën. Është pyetje për të ardhmen”, përfundoi Snopçe.

 

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull