Kjo është shkolla qendrore “Rexhë Rushit Zajazi” në Zajaz të Kërçovës.
Ajo ka 6 shkolla periferike, në disa prej të cilave ka klasa me 5 ose 6 nxënës dhe mësim me paralele të kombinuara.
Disa prej tyre rrezikojnë të mbyllen, nëse realizohet plani i Ministrisë së Arsimit, e cila si zgjidhje për efikasitet më të madh, e sheh grumbullimin e nxënësve nëpër shkolla qendrore.
“Gati në të gjitha shkollat periferike ka klasë që ka 5 nxënës, ka klasë që ka 10 nxënës kemi edhe klasë të kombinuara p.sh. në shkollën periferike Drogomisht të vogël, në Drogomisht të madh, në fshatin Çelikaj dhe në fshatin Kollarë në këto shkolla kemi edhe klasë të kombinuara”, tha Naser Ismaili – drejtor i SH.F.Q “Rexhë Rushit Zajazi”.
Kjo nuk është e vetmja. Rrezikojnë të mbyllen edhe shkolla të tjera nëpër fshatrat e Kërçovës. Në tërësi 7 deri në 8 shkolla periferike.
Një shembull tjetër janë dy shkollat periferike që janë nën kompetencë të shkollës qendrore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Serbicë. Vendimin eventual të Ministrisë së Arsimit, drejtoresha e kësaj shkolle nuk e sheh si të duhurin për disa aryse.
“Shkolla jonë numëron 85 nxënës gjithsej, dy nxënës ka shkolla periferike në fshatin Novo Sellë dhe 8 nxënës ka shkolla periferike në fshatin Zhubrinë, nuk më duket vendim adekuat ose i përshtatshëm sepse edhe transporti i nxënësve përveç aspektit financiar ka harxhime e veta por realisht mbyllja e një shkolle në një fshat ose vendbanim do ta kisha quajtur vdekje të atij vendbanimi, një vendbanim pa shkollë mund të vij deri në zhdukje”, u shpreh Shkëlqime Bekteshi – drejtoreshë në SH.F.Q “Gjergj Kastriot Skenderbeu”.
Edhe një shkollë në fshatin Kaleshe, e cila është shkollë periferike e shkollës qendrore “Naim Frashëri” në fshatin Jagoll, rrezikon të mbyllet, ndërsa dy të tjera janë mbyllur më herët.
“Një qendrore dhe dy periferike, njëra periferike e fshatit Kaleshe rrezikohet të mbyllet, ndërsa dy të tjera janë mbyllur më herët për shkak të mospasjes së nxënësve në fshatin Prapadisht dhe në fshatin Berikovë”, deklaroi Ismet Selimi – drejtor i SH.F.Q “Naim Frashëri”.
Planin e Ministrisë së Arsimit, që nxënësit e shkollave periferike që kanë mbetur me pak nxënës të grumbullohen nëpër shkollat qendrore, për efikasitet më të madh edhe në cilësinë e arsimit, e tregoi në TV21 vetë zëvendësministri Lulzim Aliu./TV21