Zgjerimi me vendet e Ballkanit Perëndimor është një çështje e rëndësishme për të ardhmen e Bashkimit Evropian, ndërsa procesi duhet të bazohet në kritere të qarta dhe zbatim të qëndrueshëm të parimeve evropiane, theksoi presidentja Gordana Siljanovska-Davkova në Budapest, ku mori pjesë në një drekë pune të organizuar nga presidenti hungarez Andrash Baka, në kuadër të shënimit të 70-vjetorit të Revolucionit Hungarez.
Si mundësi për avancimin e bashkëpunimit, ajo përmendi intensifikimin e dialogut politik, shkëmbimin e vizitave në nivel të lartë dhe forcimin e lidhjeve ekonomike ndërmjet dy shteteve.
Gjatë bisedimeve, presidentja shprehu mirënjohje për mbështetjen parimore dhe të fuqishme të Hungarisë për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, si dhe për angazhimin aktiv të këtij vendi në kuadër të Grupit të Vishegradit.
Siljanovska-Davkova theksoi nevojën për një proces të besueshëm të zgjerimit të Bashkimit Evropian, të bazuar në merita dhe në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës.
Presidentja nënvizoi gjithashtu se është e nevojshme të zbatohen reforma të thella në organizatat ndërkombëtare, me qëllim që shtetet e vogla të kenë pjesëmarrje më të madhe në vendimmarrjen për çështjet globale.
Ajo u angazhua edhe për kalimin nga diplomacia reaktive në atë parandaluese, duke vlerësuar se veprimi në kohë është thelbësor për përballimin më efikas të krizave globale.
Gjatë bisedimeve u theksua gjithashtu rëndësia e vazhdimit të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, si pjesë e përpjekjeve më të gjera për stabilitet, bashkëpunim dhe perspektivë evropiane të rajonit.

