Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se zjarri i forcave izraelite ndaj palestinezëve që presin ndihma humanitare në jug të qytetit të Gazës është një “incident serioz” pasi më shumë se 100 njerëz u vranë dhe mbi 700 të tjerë u plagosën.
Një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Anadolu tha se Shtëpia e Bardhë “po shqyrton raportet” duke vërtetuar “humbjen e jetëve të pafajshme”.
“Ne pikëllohemi me humbjen e jetëve të pafajshme dhe njohim situatën e tmerrshme humanitaren ë Gaza, ku palestinezët e pafajshëm po përpiqen të ushqejnë familjet e tyre”, tha zëdhënësi përmes një deklarate të dërguar me postë elektronike.
“Kjo thekson rëndësinë e zgjerimit të rrjedhës së ndihmës humanitare në Gaza, duke përfshirë një armëpushim të përkohshëm të mundshëm. Ne vazhdojmë të punojmë ditë e natë për të arritur këtë rezultat”, shtoi ai.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë me bazë në Gaza, forcat izraelite mëngjesin e sotëm bombarduan një turmë palestineze që prisnin ndihma humanitare në jug të qytetit të Gazës në rreth-rrotullimin al-Nabulsi, duke lënë të paktën 104 palestinezë të vdekur dhe rreth 760 të tjerë të plagosur.
Ushtria izraelite tha se një hetim fillestar zbuloi se disa palestinezë iu afruan një postblloku ushtarak që mbikëqyrte hyrjen e kamionëve të ndihmës me ushtarët që qëllonin të shtëna paralajmëruese dhe të shtëna në këmbët e palestinezëve që vazhduan të lëviznin drejt trupave.
Izraeli ka nisur një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga Hamasi ku u vranë afër 1.200 njerëz.
Që atëherë, si pasojë e sulmeve izraelite në Rripin e Gazës janë vrarë të paktën 30.035 palestinezë dhe janë plagosur rreth 70.500 të tjerë në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave themelore.
Izraeli gjithashtu ka vendosur një bllokadë ndaj Rripit të Gazës, duke e lënë popullsinë e saj, veçanërisht banorët në veri, në prag të urisë.
Sipas OKB-së, lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.