Arsimi profesional po fiton gjithnjë e më shumë terren në Shqipëri, në një kohë kur diplomat universitare të marra masivisht nuk po garantojnë më automatikisht punësim apo orientim të qartë në tregun e punës.
Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive bëri të ditur se regjistrimet në arsimin profesional kanë arritur në 19.4 për qind të nxënësve të arsimit të mesëm. Ky është niveli më i lartë i regjistruar në 25 vitet e fundit dhe tregon një zhvendosje të interesit të të rinjve drejt profesioneve konkrete dhe aftësive praktike.
Sipas AKPA, rritja lidhet me reformat e ndërmarra në këtë sektor, investimet në modernizimin e shkollave profesionale dhe përmirësimin e kushteve të mësimdhënies. Shumë institucione janë ndërtuar ose pajisur me laboratorë modernë, duke u dhënë nxënësve mundësi të zhvillojnë aftësi praktike në kushte më bashkëkohore.
Ky zhvillim shihet si një hap drejt objektivit që deri në vitin 2030, një në tre nxënës të arsimit të mesëm të zgjedhë arsimin profesional.
Një rol të rëndësishëm ka edhe hapja e profileve të reja, të lidhura me teknologjinë, shërbimet, turizmin, industrinë dhe fusha të tjera ku kërkesa për punonjës të kualifikuar është e lartë.
Pjesë e rëndësishme e kësaj qasjeje është edhe arsimi dual, i cili kombinon mësimin në shkollë me praktikën pranë bizneseve. Ky model u jep të rinjve eksperiencë pune që gjatë studimeve dhe rrit mundësitë për punësim menjëherë pas diplomimit.

