Shqipëria dërgon në Kuvend marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut për pikat e përbashkëta kufitare

2 Min. Leximi

Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka miratuar vendimin për t’i propozuar Kuvendit ratifikimin e marrëveshjes me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar, transmeton Anadolu.

Sipas vendimit të qeverisë, raportojnë mediat lokale, marrëveshja synon të krijojë një kuadër të ri bashkëpunimi për menaxhimin e kufirit shtetëror ndërmjet dy vendeve, duke lehtësuar procedurat e kontrollit kufitar.

Nisma u ndërmor me propozim të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe i hap rrugë procedurës parlamentare, ku projektligji për ratifikimin e marrëveshjes do t’i nënshtrohet shqyrtimit dhe miratimit nga deputetët.

Në vendimin e Këshillit të Ministrave thuhet se qeveria ka miratuar propozimin e projektligjit për “ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet dy vendeve dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar”, duke ia përcjellë atë Kuvendit për shqyrtim dhe miratim.

Projektligji mbështetet në Kushtetutën e Shqipërisë, ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare dhe ligjin nr. 39/2025 për “kontrollin e kufirit shtetëror”.

Vendimi është nënshkruar nga zv/kryeministrja Albana Koçiu, në mungesë dhe me porosi të kryeministrit Edi Rama, si dhe ka hyrë në fuqi menjëherë për efekt të procedurave të brendshme qeveritare.

Sipas projektligjit, marrëveshja do të nisë të zbatohet vetëm pas përfundimit të procedurave legjislative dhe hyrjes në fuqi të ligjit për ratifikimin e saj. Në nenin 2 të projektligjit përcaktohet se ligji hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull