Kosova ka reaguar në mënyrën më të mirë pas humbjes së thellë nga Zvicra në Basel.
Të hënën mbrëma në “Fadil Vokrri”, Kosova fitoi 2:0 ndaj Suedisë, përfaqësueses së mbushur me yje të Premier Leagues.
Me fitoren e arritur në stadiumin e stërmbushur në Prishtinë, Kosova është kthyer në garë për kualifikim për Kupën e Botës 2026.
Suedia vlerësohej favorite, por të përzgjedhurit e Franco Fodas kanë shfaqur më shumë në fushën e lojës. Dhe dy golat e pjesës së parë sollën tri pikët e mëdha.
Është kjo njëra prej fitoreve më të rëndësishme të Kosovës deri më tani.
Mesfushori Elvis Rexhbeçaj shënoi për 1:0 në minutën e 26-të. Rexhbeçaj realizoi pas një kundërsulmi, në tentim të dytë.
Ndërkohë Vedat Muriqi, lideri i pakontestueshëm i përfaqësueses, shënoi golin për 2:0 në minutën e 42-të. Albion Rrahmani bëri punë të madhe dhe pasoi për Muriqin që shënoi gol të bukur.
Për Muriqin ishte goli i 32-të me fanellën e Kosovës. Ai është bindshëm golashënuesi më i mirë i “Dardanëve”. Ndërkohë Rexhbeçaj e shënoi golin e dytë me përfaqësuese.
Kosova ka rrezikuar edhe disa herë në pjesën e parë, por rastet e saj i kishte edhe Suedia.
Ndërkohë pjesa e dytë ishte më e qetë. Suedia kishte iniciativën, ndërsa lojtarët e Kosovës provuan përmes kundërsulmeve. Florent Muslija lëshoi rast të mirë në minutën e 89-të. Por shifrat nuk ndryshuan.
Te Kosova ka munguar kapiteni Amir Rrahmani, pastaj Edon Zhegrova, Milot Rashica, Florent Hadërgjonaj e Emir Sahiti. Por gjitha këto mungesa nuk janë vërejtur shumë.
Foda vendosi për formacion me dy sulmues, ndërsa përkrah Muriqit luajti Rrahmani. Në mbrojtje janë paraqitur Lumbardh Dellova e Fidan Aliti, ndërsa në krahë ishin Ilir Krasniqi e Dion Gallapeni, që kishin ndeshje stabile. Mërgim Vojvoda luajti pak më i avancuar kur Kosova ishte në sulm dhe shndërrohej mbrojtësi i pestë në defanzivë. Leon Avdullahu, Elvis Rexhbeçaj e Florent Muslija kanë formuar mesfushën.
Në pjesën e dytë rastin e fituan edhe Fisnik Asllani, Muharrem Jashari, Lindon Emërllahu dhe Veldin Hoxha, që debutoi.
Te Suedia në sulm startuan Viktor Gyokeres i Arsenalit dhe Anthony Elanga i Newcastlet. Në pjesën e dytë u aktivizua edhe Alexander Isak i Liverpoolit, transferimi më i madh i verës në futbollin evropian.
Por milionat këtë herë nuk kryen punë. Festa ishte për lojtarët e Kosovës dhe tifozët që kishin mbushur stadiumin.
Kosova ndeshjen e ardhshme e luan më 10 tetor ndaj Sllovenisë, po në “Fadil Vokrri”. Aktualisht është në vendin e dytë në grup, pas Zvicrës dhe para Suedisë e Sllovenisë.