Ministri në detyrë i Transportit, Hysen Durmishi, ka njoftuar qytetarët se autoritetet janë në gjendje gatishmërie për menaxhimin e reshjeve të shiut, të cilat kanë ndikuar në disa rrugë të vendit.
“Që nga mbrëmë jemi në gjendje gatishmërie për të menaxhuar sa më mirë reshjet e shiut, të cilat kanë ndikuar edhe në disa nga rrugët tona. Ekipet e mirëmbajtjes janë në terren dhe po ndërhyjmë kudo që është e mundur për të përmirësuar kushtet e qarkullimit”, ka shkruar ministri Durmishi.
Ai ka bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët: “Na duhet edhe bashkëpunimi juaj, ju lusim të vozitni me kujdes të shtuar dhe t’u përshtateni kushteve të rrugës”.
Ministri ka theksuar se punonjësit e mirëmbajtjes po monitorojnë vazhdimisht rrugët dhe do të ndërhyjnë në çdo vend ku nevojitet për të siguruar qarkullim të sigurt për të gjithë drejtuesit e automjeteve. /Telegrafi/


