SHBA-ja njofton për ndërtimin e një porti në Rripin e Gazës për furnizim me ndihma

3 Min. Leximi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, do të njoftojë të premten se ushtria amerikane do ta ndërtojë një port në Rripin e Gazës, për të mundësuar furnizim më të madh më ndihma në këtë territor përmes detit, sipas zyrtarëve të lartë amerikanë.

Porti i përkohshëm do ta rrisë sasinë e ndihmave humanitare për palestinezët duke mundësuar dërgimin e “qindra kamionëve shtesë” brenda ditës, thanë zyrtarët.

- Advertisement -

 

Megjithatë, kjo nuk përfshin praninë e trupave amerikane në terren në Gazë, sipas tyre.

Do të nevojiten disa javë për ta ndërtuar portin, i cili do të jenë në gjendje të pranojë anije të mëdha që bartin ushqim, ujë, barna dhe shatorre të përkohshme.

Dërgesat e para do të mbërrijnë nga Qiproja, ku Izraeli do të kryejë inspektime të sigurisë.

- Advertisement -

Presidenti Biden pritet të njoftojë për këtë gjatë fjalimit të tij drejtuar kombit amerikan të premten herët në mëngjes.

Vendimi i SHBA-së vjen pasi kriza humanitare është përkeqësuar në Rripin e Gazës, ku njerëzit përballen me mungesë të madhe ushqimi për mbijetesë.

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se një çerek i popullsisë së Gazës është buzë urisë absolute.

Shpresat për të arritur armëpushim para muajit të shenjtë të Ramazanit, i cili nis javën e ardhshme, u zbehën të enjten, kur Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe BE-ja – tha se delegacioni i tij u largua nga Kajro, ku po mbaheshin bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje.

Pjesë e marrëveshjes së armëpushimit do të kishte qenë edhe dërgimi i madh i ndihmave në Gazë.

Lufta e Izraelit në Gazë kundër Hamasit i ka detyruar shumicën e popullsisë prej 2.3 milionë të kësaj enklave të zhvendosen brenda vendit dhe ka shkaktuar mungesë të madhe ushqimi, uji dhe barnash.

Gjendja në veri të Gazës është më e rëndë. Autoritetet shëndetësore në Gazë thanë gjatë kësaj jave se 15 fëmijë kanë vdekur nga kequshqyerja apo dehidrimi vetëm në një spital.

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje tashmë shumë herë Izraelit të bëjë më shumë për ta lehtësuar katastrofën humanitare në Gazë, ku më shumë se 30.000 palestinezë janë vrarë nga lufta izraelite, e nxitur nga sulmi i Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz dhe u rrëmbyen 250 të tjerë nga pjesëtarët e grupit radikal palestinez

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull