Ushtria e SHBA-së ka ndaluar të paktën tri cisterna me flamur iranian në ujërat aziatike dhe po i devijon ato larg pozicioneve të tyre pranë Indisë, Malajzisë dhe Sri Lankës, kanë thënë burime nga transporti detar dhe siguria të mërkurën.
Uashingtoni po vazhdon bllokadën e saj ndaj anijeve tregtare iraniane, ndërsa Irani ka sulmuar të mërkurën tri anije, duke ipenguar ato të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, në hyrje të Gjirit të Lindjes së Mesme.
Gati dy muaj pasi SHBA-ja dhe Izraeli kanë nisur luftën kundër Iranit, ka pak shenja se bisedimet për paqe do të rifillojnë gjatë armëpushimit të brishtë.
Mbyllja e ngushticës ka ndërprerë furnizimin me një të pestën e naftës dhe gazit në botë dhe ka shkaktuar një krizë globale energjetike. Forcat amerikane kanë sekuestruar një anije mallrash iraniane dhe një cisternë nafte në ditët e fundit.
Irani ndërkaq ka thënë se kishte kapur dy anije kontejnerësh që po përpiqeshin të largoheshin nga Gjiri përmes Ngushticës së Hormuzit të mërkurën, pasi kishte qëlluar mbi to dhe mbi një anije tjetër, kapjet e para që nga fillimi i luftës.
SHBA-ja ka devijuar të paktën edhe tri cisterna të tjera me flamur iranian ditët e fundit, sipas dy burimeve amerikane dhe indiane të transportit detar dhe dy burimeve të veçanta perëndimore të sigurisë detare që kanë folur për Reuters të mërkurën.
Njëra prej anijeve ishte supercisterna “Deep Sea” me flamur iranian, e cila ishte pjesërisht e ngarkuar me naftë bruto dhe u pa për herë të fundit në sinjalin publik të transponderit të saj pranë brigjeve të Malajzisë një javë më parë, sipas burimeve dhe të dhënave të gjurmimit të anijeve në platformën MarineTraffic.
Anija më e vogël “Sevin” me flamur iranian, me kapacitet maksimal prej 1 milion fuçish dhe e ngarkuar rreth 65%, gjithashtu është ndaluar. Ajo është parë për herë të fundit pranë brigjeve të Malajzisë një muaj më parë, sipas të dhënave të gjurmimit.
Supercisterna iraniane “Dorena” është ndaluar gjithashtu, e ngarkuar plotësisht me 2 milion fuçi nafte bruto, dhe u pa për herë të fundit pranë brigjeve të Indisë jugore tri ditë më parë, sipas burimeve dhe të dhënave të MarineTraffic.
Komanda Qendrore e SHBA-së ka thënë të mërkurën në një postim në X se “Dorena” ishte nën shoqërimin e një shkatërruesi të Marinës amerikane në Oqeanin Indian pasi kishte tentuar të shkelte bllokadën.
Forcat amerikane mund të kenë ndaluar edhe cisternën “Derya” me flamur iranian, kanë thënë burime të transportit detar. Kjo anije nuk arriti të shkarkojë ngarkesën e saj me naftë iraniane në Indi përpara se të skadonte përjashtimi amerikan për blerjet e naftës iraniane të dielën. Ajo u pa për herë të fundit pranë brigjeve perëndimore të Indisë të premten, sipas të dhënave të MarineTraffic.
Komanda Qendrore e SHBA-së ka thënë gjithashtu se që nga fillimi i bllokadës ndaj anijeve që hyjnë ose dalin nga portet iraniane, forcat amerikane kanë urdhëruar 29 anije të kthehen pas ose të rikthehen në port.

