Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia kanë diskutuar për luftën në Ukrainë, në një takim të organizuar në Arabinë Saudite të martën, e në të cilin nuk mori pjesë Ukraina. Detajet se si shkoi takimi dhe deklaratat pas tij, mund t’i lexoni këtu
SHBA-ja e Rusia pajtohen për 4 parime
22 min. më parë / 18 shk 2025 14:33
Photo: Associated Press
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia janë pajtuar mbi katër parime, ka njoftuar sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Pikat e dakorduara, sipas Rubios:
“Për të rivendosur funksionalitetin e misioneve tona përkatëse në Washington dhe në Moskë. Që ne të mund të vazhdojmë të ecim në këtë rrugë, duhet të kemi objekte diplomatike që operojnë dhe funksionojnë normalisht.
Ne do të caktojmë ekip të nivelit të lartë që të ndihmojë në negociata dhe punën për përfundimin e konfliktit në Ukrainë në një mënyrë që të jetë e qëndrueshme dhe e pranueshme për të gjitha palët e angazhuara.
Të nisim diskutimet dhe të mendojmë e shqyrtojmë bashkëpunimin gjeopolitik dhe ekonomik, që mund të rezultojë nga fundi i konfliktit në Ukrainë.
Ne të pestë që ishim sot këtu… do të mbesim të angazhuar në këtë proces për t’u siguruar që po ecën përpara në mënyrë produktive”.
SHBA: Territori ukrainas, temë e bisedimeve me Rusinë
38 min. më parë / 18 shk 2025 14:17
Pala amerikane në takimin me Rusinë
Photo: Associated Press
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Michael Waltz, ka deklaruar se bisedimet për Ukrainën do të përfshijnë edhe temën e territorin dhe për garancitë e sigurisë.
Ai ka thënë se fundi i luftës me Rusinë duhet të jetë i përhershëm, e jo “i përkohshëm siç e kemi parë në të kaluarën”.
“Ne e dimë se realiteti praktik është se do të ketë disa diskutime për territorin dhe do të ketë diskutime për garancitë e sigurisë. Këto janë bazat themelore që do të mbështesin dhe do të jenë në themel të çdo lloj diskutimi. Por, unë mendoj se pjesa më e rëndësishme është se presidenti ka shprehur dëshirën e tij, vendosmërinë e tij për t’i dhënë fund kësaj lufte, për t’i dhënë fund vrasjes që po ndodh… Nuk është në interesin e asnjërit vend. Nuk është në interes të botës, dhe sigurisht jo në interes të Shteteve të Bashkuara dhe Evropës”, ka thënë Waltz pas takimit
Zyrtari amerikan shtoi se këto çështje bëjnë që negociatat të lëvizin para.
SHBA-ja e Rusia pajtohen për “të punuar për fundin e luftës”
43 min. më parë / 18 shk 2025 14:12
Delegacionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Rusisë janë pajtuar që të caktojnë ekipe të nivelit të lartë për bisedime për Ukrainën, që të punojnë për të gjetur një rrugë drejt fundit sa më të shpejtë të luftës, ka thënë zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Tammy Bruce.
Siç ka bërë të ditur ajo, fundi i kësaj duhet të jetë në një mënyrë të qëndrueshme dhe të pranueshme nga të gjitha palët.
“SHBA-ja dhe Rusia do të punojnë edhe për të gjetur bashkëpunim në të ardhmen për çështjet me interes të ndërsjellë gjeopolitik dhe mundësitë historike ekonomike e investuese, që do të dalin nga fundi i suksesshëm i luftës në Ukrainë”, ka shtuar ajo.
“Presidenti Trump dëshiron fundin e vrasjeve: SHBA-ja dëshiron paqe dhe po e përdor fuqinë e saj në botë për t’i afruar shtetet. Presidenti Trump është lideri i vetëm në botë që mund t’i bëjë Ukrainën dhe Rusinë të pajtohen mbi këtë”, thuhet në deklaratën e DASH-it, zëdhënësja e të cilit ka thënë se takimi i sotëm është vetëm fillimi i procesit.