Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Sali e ka cilësuar aktgjykimin si “një ndëshkim ndaj luftës çlirimtare të popullit të Kosovës për liri”, duke theksuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi nga nevoja për ta mbrojtur popullin e Kosovës.
Sipas tij, pavarësisht vendimeve gjyqësore, lufta e UÇK-së mbetet pjesë e historisë së Kosovës dhe e sakrificës që solli lirinë.
“Dënimet e sotme nuk mund ta ndryshojnë atë që ka ndodhur dhe sakrificën që solli lirinë”, ka shkruar Sali, duke shtuar se drejtësia duhet të kërkohet deri në fund.
Ai ka shprehur besimin se procesi i apelit duhet të mundësojë një rishqyrtim të plotë të vendimit.
“Në këto momente të dëshpërimit e dhimbjes, solidariteti im është me familjet e çlirimtarëve, me bashkëluftëtarët e tyre, por edhe me gjithë popullin e Kosovës”, ka deklaruar Sali.
Më tutje, Sali ka theksuar se historia e Kosovës nuk mund të fshihet.
“Liria e Kosovës e ka historinë e saj, i ka emrat e saj të përveçëm dhe ajo histori nuk fshihet kurrë”, ka përfunduar Sali.

