SHBA-ja dërgon një tjetër anije luftarake në Lindjen e Mesme mes tensioneve me Iranin

2 Min. Leximi

SHBA-ja ka dërguar një tjetër anije luftarake në Lindjen e Mesme pasi presidenti Donald Trump tha se një “armatë masive” po lëviz drejt Iranit, transmeton Anadolu.

Rrjeti CBS identifikoi anijen luftarake si “USS Delbert D. Black”, një shkatërrues me raketa të klasës Arleigh Burke me sistemin Aegis.

Sipas CBS-së, anije të tjera amerikane tashmë janë në zonën e përgjegjësisë së Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM) përfshijnë aeroplanmbajtësen “USS Abraham Lincoln”, shkatërruesit “USS Spruance”, “USS Murphy”, “USS Frank E. Petersen”, “USS McFaul” dhe “USS Mitscher”, si dhe anijet luftarake bregdetare “USS Canberra”, “USS Tulsa” dhe “USS Santa Barbara”.

Pentagoni po vendos me shpejtësi grupin goditës të aeroplanmbajtëses, skuadrone të avancuara avionësh luftarak dhe bateri mbrojtjeje raketore në një ndryshim të rëndësishëm të pozicionimit të forcave në rajon mes tensioneve të shtuara me Teheranin.

Të mërkurën, Trumpi përsëriti se një “armatë masive” po shkon drejt Iranit, duke shprehur shpresën se Teherani do të “ulet në tryezë” për të negociuar me Washingtonin.

Dje, sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth tha se Washingtoni është i përgatitur të përdorë “të gjitha opsionet” për të parandaluar Iranin nga prodhimi i armëve bërthamore ndërsa shtoi se ende ka hapësirë për marrëveshje diplomatike.

Ushtria iraniane ka paralajmëruar se çdo sulm do të përballet me “përgjigje vendimtare dhe të shpejtë” teksa tensionet po përshkallëzohen ndjeshëm.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull