Selami: Tabela në Shkup u korrigjua, por dygjuhësia ende nuk po respektohet

2 Min. Leximi

Koordinatori i këshilltarëve të AKI-së në Këshillin e Qytetit të Shkupit, Abdul-Selam Selami, ka reaguar lidhur me korrigjimin e tabelës hyrëse të Shkupit, duke vlerësuar ndryshimet e bëra, por duke theksuar se çështja e respektimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve mbetet e pazgjidhur.

“Këshilltarët e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) e përshëndesin korrigjimin e tabelës nga ana e Qytetit të Shkupit. Vlerësojmë se shtimi i elementeve dhe monumenteve që pasqyrojnë multikulturalizmin e Shkupit është një hap pozitiv, pasi ato reflektojnë identitetin shumetnik dhe vlerat e bashkëjetesës që e karakterizojnë kryeqytetin.

Megjithatë, theksojmë se në aspektin ligjor çështja mbetet e pazgjidhur. Pavarësisht ndryshimeve të bëra, tabela ende nuk është në përputhje me dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, pasi detyrimi për respektimin e dygjuhësisë vazhdon të mos zbatohet.

Për këtë arsye, në mbledhjen e parë të Këshillit të Qytetit të Shkupit, këshilltarët e AKI-së do të kërkojnë përgjigje zyrtare nga Kryetari i Qytetit dhe administrata përkatëse se përse nuk respektohet Ligji për Përdorimin e Gjuhëve dhe mbi çfarë baze është vepruar në kundërshtim me detyrimet ligjore.

AKI mbetet e përkushtuar për respektimin e rendit juridik, të drejtave gjuhësore dhe trajtimit të barabartë të të gjithë qytetarëve. Respektimi i dygjuhësisë nuk është çështje vullneti politik, por obligim ligjor që duhet të zbatohet nga çdo institucion i Qytetit të Shkupit”, ka shkruar Selami.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull