Piramidat e Egjiptit kanë sfiduar kohën për më shumë se 4.600 vjet, duke i mbijetuar luftërave, stuhiv dhe tërmetev të fuqishme. Tani, një studim i publikuar në revistën shkencore Scientific Reports hedh dritë mbi sekretin e qëndrueshmërisë së tyre.
Mënyra e ndërtimit bën që dridhjet e tokës të mos amplifikohen brenda strukturës. Shkencëtarët analizuan Piramidën e Madhe të Gizës, varrin monumental të faraonit Keops, dhe zbuluan se ajo është projektuar në mënyrë të tillë që të “thithë” ose të zbusë lëkundjet sizmike.
Kjo mund të shpjegojë arsye pse monumenti ka mbetur pothuajse i paprekur edhe pas tërmeteve të forta që kanë goditur Egjiptin ndër shekuj. Një nga shembujt më të njohur është tërmeti i 7 gushtit 1847, me epiqendër në rajonin Fayum, rreth 100 kilometra në jug të Kajros.
Dokumentet historike tregojnë se dhjetëra njerëz humbën jetën dhe qindra ndërtesa u shkatërruan, ndërsa piramidat mbetën në këmbë. Sipas studiuesit Mohamed ElGabry nga Instituti Kombëtar Egjiptian i Astronomisë dhe Gjeofizikës, disa gurë të jashtëm u shkëputën, por struktura kryesore nuk pësoi dëme serioze.
Forma piramidale ka qenë gjithmonë një nga arsyet kryesore të stabilitetit. Baza e gjerë dhe pesha e përqendruar në pjesën e poshtme e bëjnë strukturën më të qëndrueshme. Megjithatë, studiuesit zbuluan se sekreti nuk qëndron vetëm te forma.
Piramida e Keopsit, e ndërtuar me rreth 2.3 milionë blloqe guri, sillet si një trup i vetëm kompakt. Për të arritur në këtë përfundim, ekipi përdori metodën sizmike HVSR, e njohur edhe si metoda Nakamura, duke matur vibrimet natyrore në rreth 30 pika të ndryshme brenda piramidës.
Rezultatet treguan se e gjithë struktura vibron pothuajse në të njëjtën frekuencë, rreth 2.3 herc. Kjo uniformitet nënkupton se nuk ka zona të dobëta ku mund të krijohen çarje gjatë një tërmeti.
Një tjetër zbulim i rëndësishëm, ishte se toka përreth piramidës vibron me një frekuencë shumë më të ulët, rreth 0.6 herc. Pikërisht ky ndryshim e pengon fenomenin e rezonancës, i cili mund të amplifikojë dridhjet dhe të shkaktojë shembje.
Ekspertët shpjegojnë se rezonanca funksionon si një lëkundëse fëmijësh: nëse shtyhet me ritmin e duhur, lëkundjet bëhen gjithnjë e më të forta. Në rastin e piramidës, frekuenca e saj nuk përputhet me atë të tokës, ndaj energjia sizmike nuk shumëfishohet.
Studiuesit besojnë se një rol vendimtar ka luajtur edhe materiali mbi të cilin janë ndërtuar piramidat. Platforma shkëmbore prej gëlqerori të fortë krijon një bazë tepër të qëndrueshme për strukturat gjigante.
Sot, inxhinierët modernë ndërtojnë qiellgërvishtës fleksibël që lëkunden gjatë tërmeteve për të shmangur shembjen. Ndërkohë piramidat janë tepër të ngurta. Dhe pikërisht kjo ngurtësi, e kombinuar me projektimin gjenial të egjiptianëve të lashtë, duket se është arsyeja pse ato vazhdojnë të sfidojnë kohën dhe natyrën. \tesheshi.com\

