Zëvendësdrejtori i Fondit të Sigurimit Shëndetësor, Sedat Bislimi, ka njoftuar për masa të reja që synojnë uljen e kostos së barnave dhe rritjen e qasjes së pacientëve në terapi.
“Po vazhdojmë të ndërmarrim hapa konkretë për ta bërë terapinë më të qasshme dhe për të ulur shpenzimet e qytetarëve.
Tre barna antikoagulante janë përfshirë në Listën Pozitive A.
Në terapinë për astmën dhe SPOK-un është vendosur konkurrenca gjenerike, ndërsa edhe FOSTER-i së shpejti do të jetë i disponueshëm pa pagesë shtesë, vetëm me participimin ligjor.
Këto masa pritet t’i sjellin Fondit kursime prej 46–49 milionë denarësh në vit, të cilat do të investohen në terapi të reja dhe moderne.
Vazhdojmë të punojmë për një sistem shëndetësor më të qasshëm, me më pak shpenzime për pacientët dhe më shumë investime në shëndetin e qytetarëve”, ka shkruar Bislimi.

