Rrugë, bulevarde, shkolla dhe pishina: Si e përgjysmoi borxhin Bilall Kasami duke e transformuar Tetovën njëkohësisht

2 Min. Leximi

Kur mori drejtimin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami trashëgoi një komunë me rreth 24 milionë euro borxh dhe me probleme të shumta infrastrukturore. Gjatë mandatit të tij, administrata komunale ka bërë të ditur se borxhi është ulur ndjeshëm, ndërsa paralelisht janë realizuar një sërë investimesh në të gjithë territorin e komunës, raporton gjurme.info.

Përkundër sfidave financiare, gjatë këtyre viteve janë ndërtuar dhe rikonstruktuar dhjetëra rrugë e bulevarde, janë investuar mjete në shkolla, rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, është funksionalizuar pishina e qytetit, ndërsa projekte të tjera sportive dhe arsimore vazhdojnë të realizohen.

Për herë të parë po ndërtohen dy shkolla të mesme në Tetovë. Gjithashtu po ndërtohen edhe dy pishina. Investimet janë shtrirë në pothuajse çdo lagje dhe vendbanim të komunës.

Komuna ka theksuar disa herë se menaxhimi më racional i financave ka bërë të mundur që të ulë barrën e borxhit pa ndalur investimet kapitale. Sipas tyre, kjo është dëshmi se disiplinimi financiar dhe zhvillimi i qytetit mund të ecin paralelisht.

Përkrahësit e këtij opsioni e konsiderojnë mandatin e Kasamit si një periudhë të stabilizimit financiar dhe modernizimit të Tetovës, duke vlerësuar se qyteti ka ndryshuar dukshëm në infrastrukturë dhe në shërbimet publike krahasuar me gjendjen e trashëguar.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull